Shpallja e aktgjykimit ndaj ekzaminerit të akuzuar për ndihmë ndaj kandidates

Supremja refuzon ankesën e ekzaminerit të dënuar për ndihmën e dhënë kandidates për patentë shofer

Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj Gëzim Kryeziut për shkak të dënimit prej 1 viti e 6 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gëzim Kryeziu ekzaminer për patentë shofer në Qendrën për leje të vozitjes në Prishtinë është dënuar në mars të këtij viti nga Gjykata e Prishtinës për shkak të keqpërdorimit të detyrës së tij si ekzaminer.

Kryeziu u dënua më 1 vit e 6 muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 3 viteve si dhe i ishin konfiskuar 1 mijë e 845 euro.

Këtë dënim Gjykata e Apelit më 15 qershor e kishte ndryshuar vetëm në pjesën e konfiskimit të parave, ndërsa pjesën e dënimit e kishte lënë në fuqi.

Ndaj këtyre aktgjykimeve avokati Haxhi Millaku mbrojtës i të akuzuarit Kryeziu kishte parashtruar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të shkeljeve procedurale dhe ligjit penal, e po ashtu kishte kërkuar edhe lirimin e të akuzuarit.

Gjykata Supreme pas shqyrtimit të shkresave të lëdës ka gjetur se kërkesa për mbrojtje të paligjshmërisë është e pabazuar sepse aktgjykimet nuk përmbajnë shkeljet e pretenduara nga mbrojtja, si dhe në arsyetim të aktgjykimeve janë shpjeguar qartë dhe bindshëm faktet dhe provat me të cilat është shpallur fajtor Gëzim Kryeziu.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, Gëzim Kryeziu më 18.9.2019  në cilësinë e personit zyrtar, ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë,  duke shfrytëzuar  detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat, pasi merr instruksione nga i pandehuri Ekrem Zhegrova që t’i ndihmojë kandidates Sh. H., në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Sipas Prokurorisë, ai fillimisht i ishte afruar  ku ishte ulur tani e dëmtuara, duke i  prekur  me gisht përgjigjet e sakta me qëllim që kandidatja ta kalojë provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri të mjaftueshme.

Ndërkaq i pandehuri Ekrem Zhegrova, më 18 shataor 2019 rreth orës 10:00 deri sa ishte duke punuar ne sektorin privat “Money Gram”, arkëtar, në afërsi të Qendrës së Patentë Shoferëve në Prishtinë është takuar me të dëmtuarën Sh. H., kandidate për t’iu nënshtruar provimit teorik për patentë shofer, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkon nga ajo shumën e parave në vlerë prej pesëqind euro.

Sipas aktakuzës ai i kishte marre ato me qëllim që t’i ndihmojë që e njëjta ta kalojë provimin duke i dhënë instruksione si të veprojë e duke i thënë përderisa të mos afrohet ekzaminuesi për të ndihmuar mos ta prekë asnjë përgjigje, ku nga masat e fshehta të aplikuara shihet se fjala ishte për ekzaminuesin Gëzim Kryeziu, i cili shihet duke i ndihmuar në mbushjen e testit kandidates Sh. H.