Supremja refuzon ankesat e 14 policëve të dënuar për ryshfet

Gjykata Supreme e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë 14 ish- zyrtarëve policorë të dënuar për marrje ryshfeti.

Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala janë dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me burgim dhe gjobë.

Dënim më burg dhe me gjobë ndaj ish 14 zyrtarëve policorë të akuzuar për marrje ryshfeti

Ndaj tyre kjo gjykatë u ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Mbrojtësit e të lartcekurve kanë ushtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe vendimit të Apelit.

Përmes një vendimi Supremja ka vërtetuar se të lartcekurit kanë marrë shuma të parave me qëllim që ndaj drejtuesve kundërvajtës të mos shqiptojnë tiketa.

“Nga orari ditor i punës i Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe Raporti i patrullës së Njësisë Rajonale të trafikut, të dënuarit në vazhdimësi, pasi që kanë ndaluar drejtuesit e veturave dhe pasi që kanë komunikuar me ta u kanë shpjeguar kundërvajtjen e kryer dhe dënimin i cili mund t’u shqiptohet dhe me këtë rast në mënyrë të qartë është specifikuar data dhe koha kur të dënuarit kanë marrë shuma të parave me qëllim që ndaj drejtuesve kundërvajtës të mos shqiptojnë tiketa, përkatësisht dënime për kundërvajtje”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Supremes.

Me rastin e shqiptimit të dënimit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se shkalla e parë ka zbatuar drejt dispozitat e ligjit duke u shqiptuar dënime brenda kornizës së përcaktuar për këto vepra.

Procesi gjyqësor ndaj këtyre të akuzuarve kishte filluar në tetor të vitit 2017.

Deklarohen të Pafajshëm 15 Policët e Akuzuar për Marrje Ryshfeti

Këta janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kurse ndaj të pandehurit Destan Rrecaj ishte hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK