Gjykata Supreme miraton udhëzuesin lidhur me cilësimin juridik të rasteve të dhunës në familje - Foto: Gjykata Supreme

Supremja miraton udhëzuesin për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Gjykata Supreme ka njoftuar se në takimin e sotëm ka miratuar udhëzuesin lidhur me cilësimin juridik të rasteve të dhunës në familje.

Sipas kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Pecit, qëllimi i miratimit të këtij udhëzuesi është lehtësimi i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe gjithë atyre që punojnë në rastet e dhunës në familje, që të kenë të qarta dispozitat ligjore lidhur për këto raste që  të trajtohen në mënyrë profesionale.

Kryetari Peci vuri në pah edhe nevojën për plotësimin e standardeve lidhur me ofrimin e mbrojtjes së duhur të viktimave të dhunës në familje, në pajtim me Konventën e Stambollit.

Sipas komunikatës, kryetari Peci ka thënë se Kodi Penal në nenin 248  e ka paraparë dhunën në familje, me të katër format si ajo mund të shfaqet, si vepër të veçantë penale. Megjithatë, sipas tij, po i njëjti nen ka krijuar edhe paqartësi rreth asaj se si duhen interpretuar dispozitat e këtij neni veç e veç dhe cila është mënyra më efikase për trajtimin e lëndëve të kësaj natyre.

“Ne jemi përpjekur të qartësojmë se në cilat raste cilësimi bëhet sipas veprës bazë e në cilat raste sipas nenit 248, si dhe të qartësojmë si të veprohet në rast të shkeljes së urdhrit mbrojtës, të lëshuar sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje”, citohet të ketë thënë kryetari i Supremes.

Në këtë drejtim, kryetari Peci bëri me dije se ka pranuar kërkesa të shumta nga gjyqtarë dhe profesionistë të tjerë lidhur me kualifikimin adekuat në rast të veprave penale, të kryera ndaj anëtarëve të familjes apo në kuadër të marrëdhënies familjare.

Gjykata Supreme ka analizuar kuadrin ligjor relevant me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve dhe praktikave në tërë Republikën e Kosovës dhe ka nxjerrë këtë udhëzim.

Për hartimin e udhëzuesit, Gjykata Supreme është mbështetur nga Ambasada amerikane në Prishtinë.