Supremja kthen në rigjykim rastin e doganierëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Liridon Hashani, Xhevat Lajçi dhe Avdyl Selmani, dy të parët të akuzuar për Keqpërdorim të pozitës zyrtare, i fundit për veprën penale të ndihmës dhe shmangies nga pagesat e detyrueshme të tarifave doganore janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve.

Rasti ndaj tyre është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Sipas aktakuzës të pandehurit Izet Dibrani, Qaush Blakaj me datë 01.03.2016 rreth orës 10:01 minuta në Pikën e Kalimit Kufitar Merdare, pas marrëveshjes paraprake,  në bashkëkryerje nuk e kanë deklaruar mallin të cilin e kishin ngarkuar në furgonin “VW Caddy”, e të cilin e ka drejtuar i pandehuri Izet Dibrani, ndërsa i pandehuri Qaush Blakaj me furgonin “Mercedes” mallin e kontrabanduar e kishte ngarkuar, mall ky i cili u soll nga Suedia për në Kosovë.

Sipas dosjes së Prokurorisë me të arritur në pikën kufitare në Merdare me anë të dhënies së ryshfetit në shumë prej 650 euro të pandehurve- zyrtarëve doganierë Liridon Hashani dhe Xhevat Lajqi, të pandehurit e lartcekur iu kanë shmangur kontrollit doganor, për mallin në vlerë prej 11,054,90 euro.

Me këto veprime sipas Prokurorisë të pandehurit Izet Dibrani, dhe Qaush Blakaj në bashkëkryerje kanë kryer kontrabandim me mallra.

Me tutje në aktakuzë theksohet se me të arritur malli i kontrabanduar i sjellur nga Suedia në Kosovë, pas kontrollimit të 3 furgonave nga zyrtarët doganor Xhevat Lajqi dhe Liridon Hashani, të pandehurve të lartcekur u është mundësuar kalimi i furgonave të ngarkuar me mall pa e bërë pagesën obligative doganore.

Dosja sqaron se të pandehurit Xhevat Lajqi dhe Liridon Hashani kanë marrë ryshfet prej të pandehurit Izet Dibrani në shumën prej 650 euro, të cilat më pas i kanë ndarë ndërmjet vete nga 325 euro.

Lidhur me këto veprime, Prokuroria të akuzuarve Xhevat Lajqi dhe Liridon Hashani u vë në barrë veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës i pandehuri Avdyl Selmani i ka ndihmuar të pandehurve Izet Dibrani dhe  Qaush Blakaj. Dosja e Prokurorisë thekson se pandehuri Avdyl Selmani shkon para furgonave në distancë prej disa kilometrave dhe siguron nëse ka kontrolle policore apo doganore, ashtu që i njëjti një pjesë të mallit duke e marrë prej të pandehurit Izet Dibranit e ka ngarkuar në Furgonin  “Mercedes Benz”, e me këtë i pandehuri Avdyl Selmani ka kryer veprën penale Kontrabandim i dhe veprën penale Shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore.

Në seancën e mbajtur sot trupi gjykues përmes aktvendimit e obligoi prokuroren Dulina Hamiti  që në afat 3 ditor t’ia  dorëzojë gjykatës aktakuzën e precizuar.

Në ri-hapje të këtij procesi gjyqësor të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave të cilat u vihen në barrë.