
ARKIV 2018 - I akuzuari Granit Elshani në Gjykatën e Pejës - Foto: KALLXO.com
Supremja ia kthen në Rigjykim Apelit rastin e Granit Elshanit
Gjykata Supreme e Kosovës me Vendim, më 22.01.2025, e ka kthyer në Rigjykim te Gjykata e Apelit rastin e Granit Elshanit, të cilin Apeli e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 24 vjetësh.
“Me miratimin e Ankesës së mbrojtëses së të akuzuarit Granit Elshani anulohet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.18/2024, më 20.09.2024 dhe çështja i kthehet kësaj Gjykate në Rigjykim.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës Supreme.
Ky Vendim është marrë nga Kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Mejreme Memaj (kryetare e Kolegjit), Afrim Shala e Agim Maliqi (anëtarë të Kolegjit).
Gjykata e Shkallës së Dytë e kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës së Gjakovës, më 26.02.2024, e cila e kishte liruar Granit Elshanin nga akuzat për dy veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ankesa e Prokurorisë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Shkallës së Parë ishte gjetur e bazuar nga Kolegji i përbërë prej gjyqtarëve të Apelit: Ferit Osmani (kryetar i Kolegjit) dhe Afërdita Bytyçi e Burim Ademi (anëtarë).
Cilat ishin gjetjet e Gjykatës Supreme?
Sipas Gjykatës Supreme njëra prej çështjeve më të rëndësishme në këtë rast e që është ngritur nga mbrojtja e Elshanit ka të bëjë me atë nëse veprimet e zyrtarëve policorë kanë qenë në harmoni me Dispozitat përkatëse ligjore, kur kanë hyrë në shtëpinë e Tahir Hysenit në natën kritike dhe kanë sekuestruar armën e gjetur në shtëpi.
“Në këtë drejtim, Gjykata e Shkallës së Dytë rezulton se nuk e ka sqaruar mjaftueshëm këtë çështje, si dhe nuk ka paraqitur arsye të mjaftueshme dhe të qarta, por është mjaftuar me disa konstatime të përgjithësuara, të cilat thuajse janë identike me ato të paraqitura në Aktgjykimin e parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, kur ishte shpallur fajtor i akuzuari Granit Elshani.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës Supreme.
Sipas Gjykatës Supreme, përveç çështjes së veprimeve të zyrtarëve policorë, Gjykata e Shkallës së Dytë nuk kishte arritur që të sqaronte dhe arsyetonte mjaftueshëm edhe çështjet e tjera si pretendime ankimore në ankesën e mbrojtjes, mirëpo e njëjta thuhet se “është mjaftuar që në bazë të provave të administruara në Gjykatën e Shkallës së Parë të nxjerrë përfundime të tjera”.
Tutje, sipas Vendimit të Supremes është e rëndësishme që të sqarohen argumentet thelbësore të palëve, të cilat duhet të adresohen dhe vlerësohen, e që si të tilla janë theksuar qartësisht edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në praktikën e saj gjyqësore, në rastet, si: “Hiro Balani kundër Spanjës”, rasti “Van de Hurk kundër Holandës” dhe rasti i “Higgins”, e të tjerët kundër Francës.
Po ashtu, sipas Supremes Gjykata e Shkallës së Dytë nuk i ka vlerësuar dhe arsyetuar mjaftueshëm çështjet që i referohen veprimeve të zyrtarëve policorë në natën kritike, por edhe çështje të tjera të cilat duhet t’i trajtojë në Rigjykim.
Prandaj sipas Supremes, kemi të bëjmë me shkelje esenciale të Dispozitave të procedurës penale që e kushtëzojnë anulimin e Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Dytë.
Granit Elshani akuzohet se më 02 janar 2010, në Pejë, në diskotekën C.C., e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje, në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K.
Në Aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Elshani ka nxjerrë dy armë dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të tij; me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B.Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve: V.K., A.B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë.
Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës C.C., me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve – duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H.B.
Më 31.05.2018, Granit Elshani ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Pejës me 25 vjet dënim me burgim, por Apeli e kishte kthyer rastin në Rigjykim.
Lidhur me këtë rast, Elshani për herë të dytë më 14.03.2022 ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës, me 24 vjet burgim, nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.
Ky Vendim ishte apeluar nga palët duke kthyer rastin në Rigjykim, për t’u gjykuar nga Gjykata e Gjakovës.
Me 26.02.2024, Gjykata e Gjakovës e kishte liruar nga të dy akuzat Granit Elshanin.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.