Supremja e prish dënimin ndaj Shukri Bujës

Në ditën kur u raportua se Gjykata e Prishtinës ka urdhëruar Shukri Bujën që të paraqitet në vuajtje të dënimit me burg, Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim.

Instanca më e lartë e gjyqësorit në vend, e ka prishur vendimin e Apelit me të cilin Shukri Buja ishte dënuar me 1 vit burgim për vepër korruptive.

Sipas Supremes, vendimi i apelit ishte i përfshirë në shkelje të kodit të procedurës penale.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme thuhet se dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me arsyet e dhëna në të dhe se Gjykata e Apelit nuk e ka arsyetuar se ku konsiston shkelja konkrete e Shukri Bujës.

Shkalla e tretë ka vlerësuar se nuk është theksuar fare fakti se cilin ligj dhe cilën dispozitë konkrete të ligjit e ka shkelur Shukri Buja me rastin e lëshimit të urdhrit pasi urdhri kishte të bënte me zbatim të vendimit të Kuvendit Komunal.

Instanca më e lartë e gjyqësorit ka kërkuar që Gjykata e Apelit ta shqyrtoj edhe një herë këtë rast dhe t’i ketë parasysh vërejtjet e dhëna.

Shukri Buja ishte dënuar me 1 vit burgim në dhjetor të vitit 2020 pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Apeli më këtë rast e kishte përgjysmuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës e cila Bujen e kishte dënuar me 2 vjet burgim.

Ai akuzohej se e kishte keqpërdorë detyrën zyrtare, kishte ushtruar ndikim në zyrtaret e tjerë për të mos e penguar Fahri Ratkocerin në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Ai akuzohej se për marrje të ryshfetit pasi sipas prokurorisë, Retkoceri ia kishte paguar riparimin e veturës zyrtare “Mercedes ML”.