Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com
Supremja aprovoi kërkesëpadinë e IKD-së, shfuqizohet ndryshimi i Rregullores së punës së KPM-së
Gjykata Supreme e ka aprovuar kërkesëpadinë e OJQ “Instituti i Kosovës për Drejtësi, ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke e shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave.
“APROVOHET e themeltë kërkesëpadia e paditëses, OJQ “Instituti i Kosovës për Drejtësi, me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër të paditurit, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me seli në Prishtinë”– thuhet në vendimin e Supremes.
“SHPALLET i paligjshëm dhe SHFUQIZOHET paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-2025/01), e miratuar në mbledhjen e mbajtur më datë 17 janar 2025”– thuhet tutje ne vendimin e Supremes.
Në vendimin e Supremes, thuhet që pasi që ky aktgjykim të marrë formën e prerë, dosja e lëndës PA.6/2025, së bashku me shkresat e saj, t’i dërgohet gjykatës së shkallës së parë, për vendosje lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së të datës 17.01.2025, të kontestuar me padi.
“Ky aktgjykim merr formën e prerë menjëherë pas komunikimit të përmbajtjes dhe arsyetimit të tij palëve, dhe DETYROHET i padituri Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me seli në Prishtinë, që të njëjtin ta publikojë në mënyrë të njëjtë sikurse të miratimit të saj”– thuhet në vendimin e Supremes.
Paditësja, Instituti i Kosovës për Drejtësi më datë 29.01.2025, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka parashtruar padi deklarative për anulimin e vendimit të Kryetarit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), të datës 17.01.2025 dhe padi për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ të paditurit Komisioni i Pavarur për Media (KPM), përkatësisht paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-2025/01), të miratuar në mbledhjen e mbajtur më datë 17 janar 2025.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin e datës 04.04.2025, ka pezulluar procedurën për shqyrtimin e padisë deklarative lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për përzgjedhjen e Kryetarit të KPM-së, të datës 17.01.2025, ndërsa me kërkesën 05.05.2025, lëndën e ka referuar pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, për shqyrtimin incidental të ligjshmërisë së dispozitës së kontestuar të aktit nënligjor normativ.
Paditësja, me padi, përgjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor dhe në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga Gjykata Supreme, që të shpallë të paligjshme dhe të shfuqizoj paragrafin 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave.
Gjykata ka shqyrtuar kërkesën e referuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për vlerësimin e ligjshmërisë së aktit normativ nënligjor normativ, si dhe në drejtim të thënieve në padi, thënieve në seancë dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës në këtë konflikt administrativ, konstatoi se kërkesëpadia e paditëses është e bazuar.
Në vendimin e Supremes thuhet se Gjykata Supreme, në referim të pretendimeve të palës së paditur dhe argumentimit të tyre, konstaton se neni 25 i Ligjit për Konfliktet Administrative (LKA), i lejon paditëses kontestimin e aktit nënligjor me karakter normativ që ka efekt të përgjithshëm dhe zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, si dhe në përputhje me përkufizimin e dhënë sikurse në nenin 3 paragraf 1.1, ku është përcaktuar se akti nënligjor normativ, është një akt, i nxjerrë në bazë të autorizimit të shprehur të një ligji të miratuar nga Kuvendi, që përcakton rregulla të detyrueshme sjellje në mënyrë abstrakte dhe të përgjithshme.
“Si rrjedhojë, akti normativ i kontestuar nga e paditura është nxjerrë me qëllimin e zbatimit të ligjit të miratuar nga Kuvendi, përkatësisht Ligjit për KPM”– thuhet në vendimin e Supremes.
“Nga analiza e përmbajtjes së rregullores në fjalë, Gjykata vlerëson se, ndonëse është emërtuar si akt i brendshëm, ajo në fakt ka natyrë normative, pasi rregullon një çështje të përgjithshme dhe të karakterit institucional që ka ndikim në mënyrën e funksionimit të Komisionit, përkatësisht në procedurën e zgjedhjes së Kryetarit. Një akt i tillë, me efekte të përgjithshme dhe të zbatueshme për raste të ardhshme, duhet të miratohet vetëm në bazë të autorizimit të qartë ligjor dhe me përfshirjen e publikut përmes konsultimit publik, në përputhje me standardet e ligjshmërisë dhe transparencës”– thuhet tutje në vendimin e Supremes.
Po ashtu në vendimin e Supremes thuhet se Rregullorja e Punës së KPM-së, përmes nenit 3 paragrafi 2, krijon një rregull të përgjithshëm dhe abstrakt, i cili përcakton kohën kur mund të zgjidhet Kryetari/Nënkryetari i KPM-së, përtej një rasti të vetëm. Ky rregull ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm në mënyrën e funksionimit të KPM-së, por edhe në ligjshmërinë e përfaqësimit institucional të saj. Prandaj, ai nuk mund të konsiderohet thjesht një akt i brendshëm organizativ, por akt nënligjor normativ, pasi krijon rregulla sjelljeje me efekte për të gjithë anëtarët aktual dhe të ardhshëm të KPM-së dhe për vetë funksionalitetin kushtetues të institucionit.
“Dispozita nuk u drejtohet vetëm individëve të caktuar apo një rasti specifik, por të gjithë anëtarëve aktual dhe të ardhshëm të KPM-së, që do të jenë pjesë e procesit të zgjedhjes së Kryetarit/Nënkryetarit në të ardhmen. Ndërsa, përcaktimi që “zgjedhja mund të bëhet një muaj para skadimit të mandatit”, është rregull procedural abstrakt, që aplikohet në mënyrë të përsëritur sa herë krijohen kushtet në të ardhmen”– thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.
“Çdo veprim organizativ duhet të mbetet brenda kufijve të autorizimeve ligjore të dhëna me ligj. Argumentimi që “ishte e nevojshme për të garantuar funksionimin institucional” nuk përbën bazë juridike për të justifikuar një akt të paligjshëm dhe ligjshmëria nuk mund të anashkalohet për arsye praktike”– thuhet tutje në vendimin e Supremes.
Po ashtu sipas Supremes detyrimi për konsultim publik buron nga neni 8 i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili përcakton qartë se: “Para miratimit të strategjisë, planit të licencimit dhe akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji, KPM-ja është e obliguar që vendimet, përkatësisht draftet e akteve nënligjore t’ua vërë në dispozicion një spektri të gjerë të subjekteve të interesuara”.
“Rregullorja e punës, në momentin që rregullon çështje substanciale si ato që përcaktojnë procedurën e zgjedhjes së Kryetarit, përbën akt nënligjor për zbatimin e ligjit, dhe si e tillë duhet të i nënshtrohet konsultimit publik. Interpretimi kufizues i konsultimit publik nga i padituri është në kundërshtim me frymën e ligjit dhe standardet evropiane për transparencën. Mosrespektimi i detyrimit për konsultim publik bie ndesh me nenin 11 të Ligjit për KPM-në dhe me parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes publike në procesin e nxjerrjes së akteve që rregullojnë çështje me interes të përgjithshëm. Andaj, Gjykata konstaton se rregullorja është miratuar në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, transparencës dhe pjesëmarrjes publike”– thuhet në vendimi e Gjykatës Supremes.
Supremja ka vlerësuar se kompetenca e Komisionit të Pavarur për Media, për nxjerrjen e akteve juridike ose rregulloreve të nevojshme për zbatimin e ligjeve nuk është e përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë, pavarësisht pavarësisë organizative, funksionale dhe financiare të saj.
Për gjykatën nuk ishte kontestuese rrethana që i padituri KPM, ka të drejtë të nxjerrë Rregulloren e Punës për Organizimin e Brendshëm Organizativ apo Funksional, por kontestuese ishte rrethana mbi përcaktimin shprehimor të situatës e cila nuk përkon dhe nuk gjen mbështetje në ligjin bazik.
“Gjykata thekson se autonomia institucionale nuk është absolute. Edhe institucionet që veprojnë si institucione të pavarura nuk mund të nxjerrin akte që tejkalojnë kompetencat që u janë dhënë me ligj apo të hyjnë në fushat që i përkasin institucioneve të tjera. Ky aktgjykim konfirmon se çdo institucion publik është i kufizuar nga kompetencat që i ka dhënë Kuvendi përmes Kushtetutës dhe Ligjit”– thuhet në vendimin e Supremes.
“Përndryshe, krijohet një pasiguri institucionale dhe rrezikohet balanca ndërmjet autoriteteve publike. Ky është një parim kyç në jurisprudencën e të gjitha gjykatave kushtetuese evropiane dhe ndërlidhet me konceptin e shtetit të së drejtës – që autoritetet duhet të veprojnë brenda kufijve të përcaktuar nga ligji dhe në mënyrë të parashikueshme përgjatë ushtrimit të autorizimeve dhe kompetencave të tyre, si dhe gjatë nxjerrjes së akteve nënligjore”– thuhet tutje në vendimin e Supremes.
Gjykata po ashtu i ka vlerësuar të pabazuara dhe të paqëndrueshme pretendimet tjera të paditurës, ndër të tjera edhe kur i referohet Rregullores të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase të njëjtat janë kontradiktore edhe në raport me pretendimet e tjera për pavarësinë funksionale, organizative dhe financiare të të njëjtës.
”Gjykata vlerëson se paditësja ka specifikuar dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore që pretendon se janë shkelur, gjithashtu ka specifikuar dispozitën e aktit nënligjor të kontestuar që konsiderohet e papajtueshme me ligjin dhe ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e tij”– thuhet në vendimin e Supremes.
Për më tepër, aktgjykimin e gjeni në këtë LINK.