Sulmoi tre policë, Gjykata e dënoi me 9 muaj burgim

Shani Tafolli, është dënuar sot nga Gjykata e Ferizajt me 9 muaj burgim. Ai akuzohej nga Prokuroria për sulm ndaj tre zyrtarëve të Policisë, derisa të njëjtin po e arrestonin atë.

Para gjyqtarit Adem Shabani, i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën të cilën akuzohej, si dhe i premtoi gjyqtarit se veprën nuk do ta përsërisë dhe se është penduar për këtë vepër, duke i kërkuar falje të dëmtuarve.

Gjyqtari Adem Shabani të njëjtin e dënoi  me 9 muaj burgim efektiv.

I akuzuari ishte në paraburgim dhe të njëjtit gjyqtari ia vazhdoi paraburgimin edhe për një muaj, deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Prokurori i rastit Avdullah Abedini tha se i pandehuri me datë 07.08.2019 rreth orës 23:00 në rrugën ‘’Ahmet Kaqiku’’ në Ferizaj, saktësisht afër shkollës “Gjon Serreqi” i pandehuri ka sulmuar të dëmtuarin Valdet Gurin zyrtarë policor, derisa ishte në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas Aktakuzës policia kishin marrë informatën se i akuzuari dhe disa persona ishin duke u marrë me substanca narkotike në oborrin e shkollës dhe zyrtari policor Valdet Guri fillimisht i kishte dhënë urdhër që të ndalet, por i pandehuri nuk e kishte përfillur udhërin duke ikur. Pastaj zyrtari policor kishte vrapuar pas tij, dhe në momentin që i është afruar për ta arrestuar, i pandehuri e godet me thikë zyrtarin policor në krahë, me çka i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Ndërsa sipas prokurorisë me datë 16.08.2019, në rrugën ‘’Skënder Salihu’’ në Shtime i pandehuri i ka sulmuar zyrtarët policor Irfan Bunjaku dhe Destan Halimi derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare pasi që kishin marrë informatën se personi i dyshuar në kërkim gjendet në rajonin e Shtimes.

Zyrtarët policor kanë dhënë urdhër gojor që të ndalet mirëpo i dyshuari nuk e kishte përfillur urdhërin, kishte hyrë në veturë taksi kishte mbyllur derën e veturës, dhe më pastaj kishte shkulur dorezën e derës, dhe i kishte sulmuar zyrtarët policor Irfan Bunjaku në këmbë, dhe Destan Halimi zyrtar policor në këmbën e majtë, që të dyve duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore.