Sulmi ndaj Haki Abazit, Molliqaj nuk paraqitet në gjykatë

Dardan Molliqaj pritej të ulej sot në bankën e të akuzuarit për t’u ballafaquar me aktakuzën e prokurorisë për sulmin ndaj Haki Abazit.

Por Molliqaj nuk u paraqit sot në gjykatë.

Gjyqtarja e rastit njoftoi se në gjykatë është kthyer fletëkthesa e cila i është dërguar të akuzuarit.

Sipas gjykatës pas pranimit të fletëkthesës, gjykata ka lëshuar urdhëresë me qellim të verifikimit të adresës së Molliqajt.

“Gjykata njoftoi se më 24 maj 2022 kanë pranuar një raport përmes emailit zyrtar me konstatim se dorëzimi i ftesës ka qenë i pamundur. Por sipas këtij raporti stacioni policor jugu ka arritur të bëjë verifikimin e adresës ku në vendbanimin e Molliqajt nuk është lajmëruar askush”, njoftoi tutje.

Për të akuzuarin tjetër Fatos Sahiti, gjykata njoftoi që i njëjti në seancën e radhës do të sillet me detyrim.

Mbrojtësja e të dëmtuarit Haki Abazi, avokatja Sadije Mjekiqi tha se të pandehurit kanë dorëzuar vetë adresat, ndërsa Fatos Sahiti e ka refuzuar fletënthirrjen.

“Në anën tjetër policia thekson për Dardan Molliqajs se nuk ka mund me e gjet, atëherë i bie se janë plotësuar kushtet që për të pandehurit të caktohet paraburgimi për të siguruar prezenca e tyre”, tha avokatja Mjekiqi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 15 qershor 2022.

Më 11 shtator 2019, Abazi ishte sulmuar fizikisht nga Molliqaj dhe shoqëruesi i tij, menjëherë pas një debati parazgjedhor në televizionin T7.

Sipas aktakuzës së siguruar për KALLXO.com, i akuzuari Molliqaj pas përfundimit të debatit në emisionin “Presing’ e kishte thirrur të dëmtuarin Abazi duke i thënë “ndalu këtu e flasim cka deshtë me thënë në debat”.

Tutje, aktakuza thot se në ato momente kur Abazi ishte në shoqëri me Rexhep Hotin, i akuzuari Molliqaj me dashje dhe duke përdorur forcën e sulmon Abazin duke e godit me grushtë në fytyrë e duke e kapur për duar.

Sipas aktakuzës, sulmit i është bashkëngjitur edhe Fatos Sahiti deri në momentin kur Abazi ka arritur të ju largohet.

Haki Abazi reagon pas publikimit të videos së sulmit ndaj tij (kallxo.com)