Sulmi kundër Kuvendit, nesër nis rigjykimi i aktivistëve dhe ish-aktivistëve të Vetëvendosjes

Nesër në Gjykatën e Prishtinës pritet të nisë rigjykimi ndaj aktivistëve e ish-aktivistëve të Lëvizjes së Vetëvendosje, Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të akuzuar se kanë gjuajtur me granatë-hedhës Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor te kthyer në rigjykim pritet të mbahet nesër në ora 9:00.

Për këtë kishte njoftuar edhe gjyqtari i çështjes, Beqir Kalludra.

Prokuroria Speciale e Republikës të Kosovës kishte ngritur aktakuzë për terrorizëm kundër të akuzuarve më 28 dhjetor 2016.

Pas procesit gjyqësor, Gjykata i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit dhe Frashër Krasniqin e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatjen prej 8 viteve, Atdhe Arifin me 6 vite, Egzon Halitin me 5 vite e 6 muaj dhe Adea Batushën me me burgim prej 2 viteve.

Këtë çështje Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim pas ankesave nga mbrojtësit e të akuzuarve.