Suharekë, 4 të arrestuar për fajde e detyrim, iu gjetën 37 mijë euro ‘cash’

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë e hetimeve kundër krimeve ekonomike kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës së Prizrenit  për kontroll të shtëpive, lokaleve e automjeteve të personave të dyshuar për vepra penale të fajdesë dhe detyrimit në rajonin e Suharekës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, te të dyshuarit L.B., A.F., F.B., dhe F.Sh., gjatë kontrollit janë gjetur 37 mijë e 300 euro para ‘cash’, si dhe 320 franga zvicerane.

Pos parave ‘cash’ të dyshuarve u janë gjetur edhe 12 telefona mobilë dhe 19 fishekë të kalibrit 7,82 mm.

Një numër i madh i dokumenteve të ndryshme, si kontrata të ndryshme mbi shitblerjen e pronave (shtëpi, banesa, lokale, vreshta dhe automjete) gjithashtu janë gjetur me rastin e bastisjes së të dyshuarve.

Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa po vazhdohet me hetime për të grumbulluar dëshmi relevante lidhur me rastin.