Foto: KALLXO.com

Suharekasi mohon akuzat për vdekjen e gruas, djali i viktimës përlotet në gjykatë

Hatije Dina nga Suhareka vdiq më 15 qershor të këtij viti si pasojë e plagëve të marra dy javë më herët, më 31 maj.

Lidhur me vdekjen e saj po akuzohet bashkëshorti i saj, Ilir Haxhiaj.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Ilir Haxhiaj e rrahu gruan e tij pas një mosmarrëveshjeje, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore që rezultuan me vdekjen e saj.

Burri i akuzuar se rrahu gruan për vdekje mohon fajësinë

I akuzuari është në paraburgim që nga data 1 qershor.

Ndërsa sot para Gjykatës, kur u lexua aktakuza, Ilir Haxhiaj nuk e pranoi fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Një trup gjykues i përbërë nga tri gjyqtare do të gjykojë këtë rast: Ajser Skenderi, si kryetare e trupit gjykues dhe Raima Elezi dhe Kymete Kicaj.

Foto: KALLXO.com

Gjatë kohës sa prokurori i rastit po lexonte aktakuzën, djali  i viktimës, që ishte ulur në afërsi të prokurorit, u përlot dhe kërkoi të largohej nga salla e gjykimit për të mos u kthyer në sallë.

“Për shkak të gjendjes emocionale dhe ndjeshmërisë së rastit, djali i viktimës nuk po mundet të qëndrojë në të njëjtën sallë me të akuzuarin”, tha përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Zahir Hamza.

Seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë nga dëshmitari Jeton Haxhiaj, djali i të akuzuarit Ilir Haxhiaj.

Dëshmitari të ndjerën Hatije Dina e kishte pasur njerkë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit për raportet mes të akuzuarit dhe viktimës, dëshmitari tha se ka qenë në dijeni se ata ndonjëherë kanë pasur ngatërresa si burrë e grua.

Në pyetjen e prokurorit se a ka përdorur dhunë fizike i akuzuari ndaj të ndjerës, dëshmitari tha se ndoshta ka përdorur ndonjëherë dhunë, “një shuplakë ose dy”.

Dëshmitari ka sqaruar se edhe familja e të ndjerës Hatije Dina ka qenë e njoftuar për raportet jo të mira me bashkëshortin e saj.

“Më vjen keq që familja dhe vëllezërit e të ndjerës nuk i kanë ra mas kësaj pune, me ardhë me marrë motrën e vet e me çu te shpija e saj, e ajo sot me qenë gjallë dhe me vazhdu jetën sikurse në krejt botën, me u nda burri me gruan e me lënë motrën në atë gjendje sikur mos me pasë asgjë”, shtoi Jeton Haxhiaj. Ai tha se mosinteresimi i familjes së të dëmtuarës e ka sjellë këtë situatë.

Sipas Prokurorisë ngjarja ka ndodhur më 31 maj në fshatin Samadraxhë të Suharekës, gjatë kohës kur i akuzuari Haxhiaj sa ishte me bashkëshorten e tij në veturë, janë fjalosur si pasojë e një mosmarrëveshjeje.

Prokuroria pretendon se në dalje të fshatit Samadraxhë, i dyshuari ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Ilir Haxhiaj po akuzohet për veprën penale – lëndim i rëndë trupor, që ka rezultuar me vdekjen e viktimës.

Për vepër të tillë penale, Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej pesë deri në 15 vjet.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe lëndimeve të pësuara, e ndjera Hatije Dina ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë më 15 qershor.