Suharekasi akuzohet se e fotografoi votën, përballet me gjyqin

Prokuroria e Prizrenit sot ka ngritur aktakuzë kundër F.S. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor, rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor ”Xhavit Sylaj” cenoi fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, duke e fotografuar fletëvotimin e tij përmes telefonit celular “iPhone XR”.

Aktakuza thotë se pasi e kishte fotografuar, ai e kishte publikuar fletëvotimin e tij në Facebook dhe në një portal lokal të Suharekës.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit është provuar dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” .

Poashtu prokuroria  i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë  konform  ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.