Rasti "Stenta 2"

'Stenta 2' – Të akuzuarit: Provat e Prokurorisë janë të kundërligjshme

Në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Stenta 2”, mbrojtësit e të akuzuarve dhe të akuzuarit i kundërshtuan provat e Prokurorisë, pasi që konsideruan se të njëjtat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Në rastin e njohur si “Stenta”, fillimisht të akuzuar kanë qenë 45 persona, por ndaj të akuzuarve Murat Abazi, Ferid Susuri, Perihane Sefa, Masar Gashi, Elfedin Muhaxheri dhe Nexhmi Zeqiri për shkaqe të ndryshme është veçuar procedura penale.

Gjashtë personat ndaj të cilëve është veçuar procedura penale, tashmë janë të përfshirë në procesin e njohur si “Stenta 2”.

Ndërkaq për të akuzuarin Sami Gjoka, procedura është pushuar për shkak se i njëjti ka vdekur.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Susurit, Hazër Susuri e kundërshtoi një provë të marrë nga hetuesit policorë me arsyetimin se e njëjta është marrë pa urdhëresën e gjyqtarit.

“Kjo formë nuk është marrë në formën e caktuar ligjore të datës 28 gusht 2015, andaj doemos është dashur që hetuesit policorë ta kenë urdhëresën e gjyqtarit të procedurës paraprake, për marrjen e këtyre provave. Ky raport është dashur të merret nga urdhëresa e gjyqtarit të procedurës paraprake andaj kjo provë është ligjërisht e papranueshme”, ka thënë ai.

Ndërsa i akuzuari Murat Abazi aktakuzën e konsideroi si të pabazë kurse raportet e marra nga hetuesit policorë tha se janë të paqarta.

“Në këto raporte ka shumë ngatërresa, që për mua s’kanë asnjë kuptim se ku mund të bazohet një aktakuzë ndaj meje dhe të tjerëve. Ne asnjëherë s’kemi qenë të barabartë në këtë proces”, tha Abazi.

Madje Abazi shtoi se sipas tij Prokuroria në hetimin e këtij rasti ka kryer shumë shkelje ligjore.

“Dëshmoj se Prokuroria dhe të gjitha nivelet e tjera kanë bërë shkelje dhe unë kam mbajte paraburgimin, kurse eprorët e mi pasi unë kam dalë nga burgu më kanë marrë përsëri në punë, e pikërisht ata që ma bën këtë”, shtoi Abazi.

Mirëpo një deklaratë krejtësisht të kundërt dha Prokurorja e rastit, Florije Shamolli e cila për provat e propozuara nga Prokuroria tha se janë marrë në bazë të dispozitave ligjore duke shtuar se këtë gjë e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Kundërshtime sa i përket aktakuzës patën edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, të cilët provat e marra nga Prokuroria u quajtën të kundërligjshme.

Në rastin e njohur si “Stenta”, fillimisht në një proces gjyqësor të akuzuar kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë qysh në shqyrtimin fillestar.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim, mirëpo rasti është kthyer në rigjykim.

Momentalisht është duke vazhduar dhe procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku të përfshirë këtu janë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e rastit “Stenta 2”, Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar në atë mënyrë që duke i kontrolluar pacientët i kishin udhëzuar të njëjtit të shkonin në spitalin privat IMH ose EDA, ku për çdo pacient që dërgonin për vendosje të stendave merrnin nga 500 Euro, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 Euro.