'Stenta 2’, prokurorja pyet dëshmitarin se a ndihet i kërcënuar nga fjalët e doktorit të akuzuar
Gjatë dhënies së dëshmisë të dëshmitarit Hajrush Krasniqi, i akuzuari Agron Leku i tha se “po ju siguroj se ka me dalë para këtyre burrave që nuk jam kanë e mandej hajt qysh ki me pas punë me mu”.
Kjo deklaratë u pasua me tërheqjen e vërejtjes të akuzuarit Leku “Ki kujdes në sjellje, sepse edhe prokurorja është këtu”, i tha kryetarja e trupit gjykues Shadije Shamolli.
Ky deklarim i Lekës u përcoll me ndërhyrjen e prokurores së rastit Florije Shamolli, e cila pyeti dëshmitarin se “qët fjalë që ta tha mjeku “ki me pas punë” a e ndjen vetën të kërcënuar pasi unë duhet të reagoj në rast të tillë dhe të ndjek procedurën penale e cila varet prej propozimit të dëshmitarit”.
Po dëshmitari Krasniqi deklaroi se “jo nuk e konsideroj vetën të kërcënuar për hirë të marrëdhënieve bilaterale me zotëri Leku”.
Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë, i kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.