Stenta 2 - 10.09.2019
'Stenta 2' - Dëshmitari: Ultrazëri nuk po i tregon 6 stenta, aq sa kam paguar në spitalin privat
Dëshmitari Abaz Osmani gjatë procesit gjyqësor në rastin ‘’Stenta 2’’ e krahasoi QKUK-në me katapultën që shpërndan pacientët nëpër qendra klinike private.
“Unë s`kam pasur probleme me zemër, kam pas vetëm diabet, por me datën 04 shkurt 2013, jam paraqitur në QKUK sepse kam pasur shtrëngim në gjoks. Kur e kam ba hapin e parë në emergjencë e kam ndi veten si ‘cjapi te kasapi’. Aty ishte doktor Masar Gashin, pas EKG-së tha që jam në gjendje kritike, jam në rrezik, kam pësu infarkt dhe ne nuk mund t’ju ndihmojmë se qendra e kardiologjisë nuk ka mjete, aparate prandaj duhet t’ju dërgojmë në një spital privat. Pas pesë minutave ka ardhë autoambulanca ‘EDA’ dhe më ka marrë’’, tha dëshmitari Abaz Osmani.
‘’Spitali ‘EDA’ ma ka bërë koronografinë dhe thanë se aorta juaj është e mbyllur 95% dhe vetëm 5% është e hapur dhe për të shpëtuar duhet të vendosen stentat. Në atë kohe Borce Petrovski ka qenë drejtor i klinikës dhe Blerim Zuna, më vonë kam kuptuar se ata mjekë kanë punuar në një spital në Gjakove, ku atje kanë pasur raste të vdekjes të pacientëve dhe ju ka marr licencë e cila pastaj është mbyllur’’, deklaroi tutje dëshmitari Osmani.
“Çmimi ka qenë në total 14,000.00 euro për 6 stenta, mirëpo është shumë diskutabile se sa stenta i kam, a i kam 1 ose 2, për arsye se e kam bërë një ultrazë, verifikim dhe në zemrën time shihet vetëm një stentë. Mjeku Tefik Bekteshi, që më ka bërë ultrazë më ka thënë se nuk e di a ke pas nevojë për stenta dhe se i njëjti më ka thënë se vetëm një stentë duket, por tjerat jo”, tha ai.
“Në spitalin ‘EDA’ kam qëndruar 4-5 ditë sa më kujtohet, Masar Gashi ka ardhur të nesërmen për të me vizituar se si e kam gjendjen. Më vonë kam kuptuar nga një motër medicinale, emri i së cilës nuk më kujtohet se i njëjti ka ardhur për t`i marr 500 euro nga çdo pacient”, tha dëshmitari Osmani.
I pyetur nga prokurorja e rastit Florije Shamolli, se: “A keni bërë kërkesë për kompensimin e 14.000 eurove?’’ , dëshmitari Osmani deklaroi se: “Po kam bërë kërkesë por më është refuzuar’’.
I pyetur nga avokati Arianit Koci, mbrojtës të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, se “Sot deklaruat se keni pasur shëndet të mirë kur keni shkuar në QKUK, pse keni shkuar në spital?’’. Dëshmitari Osmani deklaroi se: “Kam pasur shtrëngime në gjoks’’.
Ndërsa në fund dëshmitari Osmani e krahasoi QKUK-në me katapultën që shpërndan pacientët nëpër klinika private.
Kryetarja e trupit gjykues vazhdimisht iu ka tërhequr vërejtjen të akuzuarëve dhe avokatit Arianit Koci për mënyrën se si janë ulur të akuzuarit, për zhurmën e tyre, për reagimet e tyre kur është përmendur emri i doktorit Tefik Bekteshi.
Kurse sot munguan dëshmitarët Xhevdet Pajaziti, Fetije Krasniqi dhe Anton Ndrecaj, të cilët ishin ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kishin arsyetuar.
Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasiqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë, i kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.