‘Stenta 2’, dëshmitari i sjellur nga Dubrava dyshon se i ka dy stenta

 

“Stenta 2”, proces gjyqësor kundër 39 kardiologëve të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës lidhur me procedurën e stentimit dhe marrjen e ryshfetit ka vazhduar me rrëfimet e dëshmitarëve.

Gjykimi i 39 kardiologëve i njohur si “Stenta 2”, vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Nexhat Pllana.

Dëshmitari Nexhat Pllana, u soll nga Burgu i Dubravës pasi atje është në vuajtje të dënimit.

Dëshmitari Pllana, tregoi se kishte dhënë deklaratë para policisë hetuese në burgun e Dubravës.

Ai tregoi se në vitin 2013 ishte sëmurë dhe në qendrën e Dubravës i kishin bërë ‘EKG-në’ por i kishin thënë se nuk kishte asgjë.

“Në vitin 2013 në ora 6 të mëngjesit më kanë bërë EKG-në dhe më kanë thënë se nuk ke asgjë, por shoku im i dhomës “më ka thënë se a je mirë o burrë se krejt je nxi”, e pastaj në ora 8 e 30 të mëngjesit ka ardhë autoambulanca e burgut dhe më kanë dërgu në Spitalin e Pejës”.

Në spitalin e Pejës ai tregoi se i kishin bërë ‘EKG-në’ dhe i kishin dhënë një ineksion nga i cili vetëm i ishin shtuar dhimbjet.

Ai tregoi se gjendja e tij vetëm shkonte duke u keqësuar dhe të nesërmen në mëngjes ishte dërguar përsëri në Spitalin regjional të Pejës.

Në spitalin e Pejës mjeku ka thënë se këtë pacient duhet me dërgu në  QKUK.

“Në Spitalin e Prishtinës, ka ardhë Milazim Gjoci, Burim Buleshka të cilët më thanë se ki me shpëtu”, tha ai.

Dëshmitari Pllana tha se kishte shkuar për ta marrë autoambulanca e spitalit privat turk “IMH”.

“Pastaj ka ardhë një autoambulancë e spitalit turk dhe më ka marrë”, tha ai.

Pastaj ai deklaroi se “Mua më futën në sallën e spitalit privat turk më kanë thënë se mi kanë vendosur 2 stenta, por unë nuk e di as a më kanë vendos stenta a jo se nuk jam mjek”.

E lidhur me këto stenta dëshmitari Pllana tha se ai kishte kërkuar që t’i bëhej edhe një kontrollë për të vërtetuar nëse i kishin vendosur stentat.

“Unë kam kërkuar të kontrollohem edhe një herë për t`u siguruar a i kam stentat, por nuk më kanë kontrolluar”, tregoi ai.

Dëshmitari Pllana tha se prej të gjithë të akuzuarve e njeh vetëm Ismail Avdimetajn, i cili e kishte kontrolluar atë në burgun e  Dubravës dhe të Pejës.

“Ankesa ime ka të bëjë me neglizhencën e mjekëve në Burgun e  Dubravës, sepse unë po vdes në burg”, tha dëshmitari Nexhat Pllana.

Prokurorja e rastit Florije Shamolli, hoqi dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari.

I pyetur nga i akuzuari Banush Gashi, se kush ju ka dërguar në spitalin privat IMH, dëshmitari Pllana tha “Milazim Gjoci”.

I pyetur nga i akuzuari Gashi se kush e ka paguar stentimin tënd, dëshmitari tha “shteti”.

Dëshmitari Nexhat Pllana deklaroi se nuk e dinte cili nga mjeket në QKUK e kishte udhëzuar për të shkuar në spitalin “IMH” dhe nuk e dinte as kush e kishte kryer procesin e stentimit.

Seancat e radhës u caktuan për datën 1, 3 dhe 16 prill.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Semani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepi, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili,, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska, Arlind Batalli.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.