Specialja refuzon kërkesën e Salih Mustafës për ndërprerjen e paraburgimit, përmend lidhjet e tij me aparatin e inteligjencës

Në vendimin për shqyrtimin e kërkesës për ndërprerjen e paraburgimit për Salih Mustafën, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou, ka vendosur ta refuzojë kërkesën e Mustafës për ndërprerjen e paraburgimit, duke e përmendur rrezikun e ikjes dhe ndikimin në dëshmitarë si rezultat i lidhjes së tij me aparatin e inteligjencës në Kosovë.

Në arsyetimin e këtij vendimi gjyqtari Guillou ka përmendur faktin se, sipas tij, rreziqet e ikjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së veprave të tjera nga i akuzuari mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm nga paraburgimi.

Sipas gjyqtarit, pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do të lehtësonin çdo përpjekje të tij për të ikur, penguar procedurat përmes ndërhyrjeve me viktimat dhe dëshmitarët ose për të kryer krime të mëtejshme.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar më tej se për një oficer me përvojë të inteligjencës siç është Salih Mustafa, do të ishte shumë i lehtë procesi i identifikimit dhe ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë.

Në lidhje me rrezikun e ikjes, gjyqtari i procedurës paraprake në arsyetimin e këtij vendimi ka përmendur lidhjet e Mustafës me aparatin e inteligjencës së Kosovës, për çka pretendon që nëse i njëjti do të gjykohej në liri, ekziston rreziku real që Mustafa të ketë qasje në informacione e burime të siguruara përmes aparatit të inteligjencës së Kosovës.

Në këto rrethana, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se asnjë nga arsyet e paraqitura nga mbrojtja nuk janë të mjaftueshme për arsyetuar ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Në kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit, mbrojtja e Salih Mustafës kishte theksuar se paraburgimi i Mustafës nuk duhet të vazhdohej pasi që deri më tani nuk është paraqitur ndonjë material shtesë objektiv lidhur me aktakuzën. Mustafa kishte deklaruar se ai banon në Kosovë me familjen e tij, me ç ‘rast i ka rikujtuar Gjykatës se ai ishte paraqitur vullnetarisht për tu intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke premtuar se do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën do të vazhdoj t’i përgjigjet vullnetarisht organeve të drejtësisë.

Ndërsa Prokuroria kishte konsideruar mbarëvajtja e procesit gjyqësor të Salih Mustafës mund të menaxhohet në mënyrë efektive vetëm nga paraburgimi, duke kundërshtuar çdo formë tjetër të zëvendësimit të kësaj mase.

Salih Mustafa, i njohur me nofkën e luftës si Komandant “Cali”, me 28 tetor 2020 është deklaruar i pafajshëm për akuzën që e ngarkon për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor e ndalim të kundërligjshëm të civilëve gjatë vitit 1999.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa- komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në  një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë  Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarëve nuk u kishin mjaftueshëm ushqim, ujë dhe kushteve higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe kujdesit shëndetësor.

Pika e akuzës  që  ngarkon Mustaën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së ndaj personave të ndaluar u shkaktuan viktimave vuajtje ose dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se personat e tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk i ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme.

Të gjitha lajmet për Salih Mustafën mund t’i lexoni në këtë link.