Arkiv

Sot pritet të përfundojë gjykimi për korrupsion ndaj Haki Rugovës

Në mars të vitit 2018 Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, për vepër penale konflikt interesi.

Sot pas 3 viteve e shumë zvarritjeve,  ky proces pret të marrë epilog.

Në seancë gjyqësore sot pritet që palët të japin fjalën përfundimtare, pas seancës së fundit ku i akuzuari Rugova kishte dhënë mbrojtjen e tij.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë’.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ SH.P.K, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.