(Arkiv) Gjykimi i Ukë Rugovës - Foto: KALLXO.com

Sot pritet të mbahet seanca ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve

Në Gjykatën e Prishtinës sot pritet të mbahet seanca gjyqësore për rastin ndaj të dyshuarve për krim të organizuar me viza italiane, ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës Astrit Haraqija dhe të tjerëve.

Ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017, e po ashtu dhe në seancën e 16 prillit 2021.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë, ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

Ukë Rugova, Astrit Haraqija e të tjerët, sërish mohojnë akuzat