Ilustrim

Skema si u organizua votimi i korruptuar nga diaspora

Pas rekomandimit të gjykatës që të rishikohet pjesa e dënimit unik për të akuzuarin Milot Blakaj, Prokuroria Speciale dhe mbrojtësi i të akuzuarit Blakaj, Artan Qerkini erdhën me propozim që si dënim unik për dy veprat penale të shqiptohet dënim me kohëzgjatje prej 1 vit e 8 muaj.

Për veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim i ishte paraparë dënimi në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, ndërsa për vjedhje të identitetit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti.

Ndërsa si dënim unik për këto dy vepra, ishte arritur marrëveshja mes mbrojtjes dhe prokurorisë që t`i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 8 muaj, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri nuk kryen vepra penale në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Aktgjykimi do të bëhet i plotfuqishëm menjëherë, pasi që palët me marrëveshjen për pranim të fajësisë kanë hequr dorë nga e drejta e tyre në ankesë.

Për këtë rast të akuzuar janë edhe Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Sylë Blakaj.

Në seancën e fundit, në të cilën parashihej që të vendosej lidhur me marrëveshjen e fajësisë mes të akuzuarit në çështjen e keqpërdorimit të votave Milot Blakaj dhe Prokurorisë Speciale, ka pasur disa paqartësi për palët.

Në këtë rast Prokuroria Speciale në marrëveshjen për pranimin e fajësisë ishte pajtuar që të pandehurit për veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim t`i shqiptohet dënim prej 1 viti e 6 muaj,  për veprën  penale vjedhje të identitetit nga diapozitivi i dytë i aktakuzës t`i shqiptohet dënim me kohëzgjatje prej 1 viti.  Ndërsa si dënim unik parashihej që t`i shqiptohet dënimi më kohëzgjatje prej 1 viti e dy muaj.

Me këtë përllogaritje të dënimit nuk ishte pajtuar gjyqtari i rastit Musa Konxheli, i cili palët i udhëzoi që të ri-negociojnë përsëri, ndërsa marrëveshja për nga përmbajtja u konsiderua e lidhur krahas dispozitave ligjore.

“Sjellë aktvendim që marrëveshja të pranohet si e tillë, meqë është bërë konform dispozitave ligjore ndërsa sa i përket dënimit të rekomanduar gjykata i rekomandon ose i udhëzon palët që edhe një herë të ri-negociojnë meqë dënimi i rekomanduar sipas kësaj marrëveshje nuk është në harmoni të plotë me nenin 76 paragrafi 2 pika 2.2 të KPPRKS”- mori aktvendim gjyqtari Musa Konxheli.

Në këtë rast të akuzuar të tjerë janë ish deputeti i kuvendit të Kosovës Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Sylë Blakaj.

Sipas dosjes së prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021 , me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

E krejt këto veprime me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme Parlamentare të mbajtura me datën 14 shkurt të vitit 2022.

Të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë u mblodhën në një zyrë që  dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakës në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për tu regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

E ku në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi i cili e mbante numrin votues 32.

Tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe me datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Me të arritur çanta në Vjenë  e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

E gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjevukaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që me 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A.A(Shoferi i autobusit), në atë mënyrë që në ditën e incidentit me veturë të tij të tipit Audi A6, pret të dëmtuarin e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.

Dallaveri me votime – Pranohet marrëveshja për pranim të fajësisë, rekomandohen palët që të rinegociohet pjesën e dënimit