Skema se si u tentua transporti i drogës nga Kosova për në Zvicër sipas dosjes së Prokurorisë

Gjykata e Prizrenit të premten ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për dëgjimin e dëshmitarit në rastin e tentim transportit të 130 kg drogë.

Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, po përballen me aktakuzën për posedim, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve.

Tre të dyshuarit po gjykohen se kanë organizuar transportimin e 130 kg drogë nga Kosova për në Zvicër.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, në vitin 2017, të pandehurit nga Gjakova tentuan që në brendësi të dyerve ta bartnin drogën e llojit marihuanë. Përmes taksive fillimisht dyert i bartën për në Ferizaj e Prizren, ndërkaq, destinacioni ishte që të transportohej në Zvicër.

Në shqyrtimin e sotëm, prokurori Metush Biraj ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Xhelal Qerkini, pronar i kompanisë “…”, në Ferizaj.

Ky propozim u kundërshtua nga Teki Bokshi, Sylë Lokaj dhe Sylë Hoxha, mbrojtës të të akuzuarve.

Ata theksuan se propozimi i dëshmitarit nuk kishte relevancë pasi që kanë kaluar disa vite prej ditës kritike dhe dëshmia e tij do të ishte e zbehtë. Të njëjtët kërkuan që propozimi i Prokurorisë të refuzohet.

Pas kësaj, Gjykata mori vendim që të aprovohet propozimi i prokurorit që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet dëshmitari Xhelal Qerkini.

Seanca e radhës u caktua për datën 6 shkurt 2023.

Sipas aktakuzës, Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu po akuzohen se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Aktakuza thotë se me datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.

Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve.

Në nëntor të vitit 2017, Emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuan filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se të dyshuarit kanë arritur ta maskojnë marihuanën nëpër dyer.

Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.

Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në  10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.

 

Pamje: Zbulimi Kosovar droga eksportohet me dyer

Transporti i 130 kilogramëve marihuanë për Zvicër u tentua nëpërmjet dyerve të drurit (VIDEO)