Viza Schengen (ilustrim) - Foto: REL/Shutterstock

Skandali me vizat italiane, dëshmitarët rrëfejnë si u ndihmoi i akuzuari

Në gjykimin e Ukë Rugovës dhe katër të tjerëve, të akuzuar për mashtrim me viza Schengen, gjatë seancës së sotme janë dëgjuar 19 dëshmitarë.

KALLXO.com raportoi për disa dëshmitarë të cilët kanë treguar se si janë pajisur me viza falë ndihmës që u ka dhënë djali i presidentit të ndjerë të Kosovës.

Njëri prej dëshmitarëve tregoi se për t’u pajisur me vizë pasaportën dhe dy foto për vizë ia ka çuar Ukë Rugovës në Kuvendin e Kosovës.

Dëshmitarët e parë kanë treguar se kanë punuar ose vazhdojnë të punojnë në rezidencën e familjes Rugova.

Dëshmitari: Ukë Rugovës pasaportën dhe dy fotografi për vizë ia dorëzova në Kuvendin e Kosovës

Më pas, dëshmi kanë dhënë edhe dëshmitarë që kishin lidhje me të akuzuarin tjetër, Florian Petani.

Njëri prej tyre ishte edhe  Arben Ajdini, i cili tha se është mik i të akuzuarit.

Ai tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë më 2014 në Polici.

‘Florian Petanin e kam mik të shtëpisë. Kam bërë gati  dokumentet dhe Flori më ka ndihmuar për ta marrë vizën, deklaroi dëshmitari Arben Ajdini.

Ai tha se të akuzuarit ia ka dorëzuar dokumentet në Ambasadën italiane.

Dëshmitari tha se ka udhëtuar me atë vizë dhe se nuk ka pasur asnjë problem.

I pyetur nga i akuzuari se a ka paguar diçka për ndihmesën që ia ka dhënë për t’u pajisur me vizë, dëshmitari Ajdini deklaroi se nuk ka paguar asgjë.

Më pas ka dëshmuar edhe Afërdita Gërguri, punonjëse në poligonin e shenjtarisë “Katana”.

Fillimisht ajo tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në EULEX.

Ajo tregoi se me të akuzuarin Florian Petani janë takuar në poligonin “Katana”, ku i akuzuari ishte klient dhe aty kishin biseduar rreth procedurës së aplikimit për viza.

“Kam aplikuar në ambasadë të Italisë në Prishtinë, aty më  ka ndihmuar punonjësi Florian Petani, e kam marrë vizën italiane për 6 muaj dhe isha në Itali për të shëtitur”, tha dëshmitarja Gërguri.

Kurse, dëshmitari Fatos Mehmeti fillimisht deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë në Polici.

Prej të akuzuarve tha se e njeh vetëm Florian Petanin, me të cilin tha se ka pirë kafe 2-3 herë dhe se e dinte që punonte në Ambasadën italiane.

Ai tregoi se kishte plotësuar dokumentet e kërkuara për vizë për gjithë familjen e tij dhe se ia ka dorëzuar të akuzuarit Florian Petani në korridor të Ambasadës.

“Por vizën s’e ka marrë asnjë nga familja”, theksoi Fatos Mehmeti.

Dëshmitari Bajram Abdullahu, deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 20 gusht 2014, në Polici.

Abdullahu tregoi se është doktor i alergjisë dhe se i akuzuari Florian Petani ishte pacient i tij prandaj edhe e kishte pyetur për dokumentacionin për vizë italianë “dhe jemi marrë vesh që dokumentacionin t’ia dërgoj në ambasadë në zyrën e tij ku kemi pire edhe nga një birrë”.

“Edhe pse vizat nuk I kam marrë e falenderoj shumë sepse  për mua është njeri i mirë’’, tha dëshmitari duke aluduar në të akuzuarin Florian Petani.

Pesë të akuzuarit, përfshirë edhe Ukë Rugovën, të birin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, akuzohen të jenë të përfshirë në sigurimin e rreth 500 vizave italiane Schengen, në mënyrë të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kanë përfshirë rreth 500 persona si familjarë të familjes Rugova, me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.

Gjithashtu, prokurorja lexoi edhe ndryshimet që i janë bërë aktakuzës, në të cilën Ukë Rugova, Izet Beqiri dhe Qefser Baholli u akuzuan edhe për armëmbajtje pa leje.