Skandal në Prokurorinë e Prishtinës: Zhduket dosja e ekstradimit të të kërkuarit nga Gjermania

Një i shumëkërkuar nga Gjermania është liruar të premten nga gjykata me arsyetimin se autoritetet gjermane nuk kanë kërkuar ekstradimin e tij. Në dosjen e gjykatës shkruhet se prokurori i shtetit e kishte njoftuar gjykatës se autoritetet gjermane nuk kanë kërkuar ende ekstradimin e këtij personi.

Disa orë pas kumtimit të lajmit për lirim KALLXO.com ka zbuluar se autoritetet gjermane kanë bërë këtë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë. Burime brenda ministrisë kanë konfimruar se dosja me materialet gjermane është dorëzuar në prokurori me 15 gusht ndërsa nuk dinë për arsyet pse ajo nuk ishte paraqitur para gjykatësit.

Çka dihet është se Gjykata Themelore e Prishtinës pikërisht për mungesën e kësaj kërkese është detyruar ta refuzoi kërkesën për vazhdimin e paraburgimit dhe ta urdhërojë lirimin e të kërkuarit nga shtetit gjerman.

KALLXO ka kontaktuar me U.D e Kryeprokurorit të Prishtinës Kujtim Munishin, i cili tha se e din që kërkesa për vazhdim të paraburgimit është refuzuar nga Gjykata pa dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin.

KALLXO kontaktoi edhe prokurorin e këtij rasti Hivzi Bajraktari i cili tha se është në dijeni për rastin por se asnjëherë nuk e ka pranuar kërkesën në zyrën e tij.

Gjykata në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj turkut të arrestuar muajin e kaluar në Kosovë, dhe njëkohësisht ka urdhëruar lirimin e tij.

Turku me shtetësi gjermane dhe turke, Sinan Tataroglu ishte arrestuar më 12 korrik të këtij viti ndërsa ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh.

Tataroglu ishte arrestuar si i kërkuar se ka kryer veprën penale të vjedhjes grabitqare të paraparë me Kodin Penal të Gjermanisë.

Deri te vendimi mbi refuzimin e kërkesës për vazhdim të paraburgimit dhe rrjedhimisht lirimin e tij ka ardhur pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e paraburgimit është paraqitur jashtë afatit dhe njëkohësisht, Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar parasheh se  gjykata sipas detyrës zyrtare e liron personin nëse brenda 40 ditësh nga arrestimi nuk parashtrohet kërkesa zyrtare me dokumentet përcjellëse për ekstradim.

Në rastin konkret, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që e ka siguruar KALLXO.com, nuk është parashtruar një kërkesë e tillë.

Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.

 

 

 

 

 

 

Gjykata në Prishtinë e liron turkun e kërkuar nga Gjermania