Foto: Kallxo.com

“S’kam çka kthehem më aty”, i kishte thënë Valbona Ndrecaj dajës së Pjetër Ndrecajt

Me jelek antiplumb dhe i lidhur duar e këmbë, Pjetër Ndrecaj është sjellë në gjykatën e Gjakovës për t’u përballur me dëshmitarët në rigjykimin për vrasjen e gruas dhe vajzës 9 vjeçare.

Në seancën e sotme si dëshmitar u dëgjua Mark Prekaj, daja i të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, i cili tregoi se bashkë me 4 burra të tjerë kishte shkuar te familja e gruas së tij të ndjerë, Valbonës, për t’i bërë ‘rigja’ të kthehej te burri dhe fëmijët.

Dëshmitari Mark Prekaj tha se kishte biseduar personalisht me të ndjerën Valbona Ndrecaj ndërsa tha se ajo nuk kishte pranuar të kthehej te Pjetri.

“Dajë e di që ka shku ftyra por unë s’kam çka kthehem aty,” kishte thënë Valbona dajës së Pjetrit, Mark Prekajt.

Por avokati Ndrec Dodaj, i cili e mbron Pjetër Ndrecajn, kërkoi nga gjykata që dëshmia e Prekajt të mos merret parasysh. Arsyetimi i tij ishte se dëshmitari Mark Prekaj kishte marrë pjesë në disa seanca në sallë të gjykimit.

Ndërsa vëllai i Valbona Ndrecajt, Kujtim Marku, kishte vërejtje në këtë dëshmi.

Më pas dëshmitari Robert Radi, nipi i të akuzuarit Pjetër Ndrecajt, tregoi se kishte kontribuar në një takim për ta biseduar bashkimin e mundshëm të Valbonës dhe Pjetrit.

Ai tha se mes çiftit Ndrecaj kishte shumë mosmarrëveshje.

“Aty ka pasë mosmarrëveshje familjare të zakonshme jo të mëdha por pastaj ka pasë shumë të shtime, e pas ditës kur Valbona ka shku në Polici atëherë nuk kam ndërhyrë por kam qëndruar larg këtij rasti,” deklaroi dëshmitari Robert Radi.

Robert Radi tha se çifti Ndrecaj kishin qenë të lumtur por, sipas tij, të tjerët kishin ndikuar në lidhjen e tyre.

Seancat e radhës u caktuan datat 11 dhe 12 mars, për leximin e shkresave të lëndës dhe mbrojtjen e të akuzuarit, Pjetër Ndrecaj.

Në seancën e fundit janë kërkuar që të nxirren raportet mjekësore të të akuzuarit.

Në këtë rast gjyqësor, kishin dëshmuar edhe dy vëllezërit e Valbonës, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

https://kallxo.com/ligji/pjeter-ndrecaj-mohon-akuzen-per-vrasjen-e-gruas-dhe-te-vajzes/

Një seancë nuk ishte mbajtur me kërkesë të Prokurorisë.

Në një seancë të mbajtur në muajin tetor, ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ai ishte sjellë në gjykatë i lidhur më zinxhirë.

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i gjykatës dhe prokurorisë.

https://kallxo.com/ligji/gjykata/ndrecaj-sillet-ne-gjykate-i-lidhur-me-zinxhire-ne-duar-dhe-kembe/

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Nga gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Bëhet e ditur tashmë se ishte djegur shtëpia ku jetonte Familja e Valbona Marku Ndrecaj.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.