Si realizohet padia për përfitimin e pronës?

Shkurorëzimi i bashkëshortëve apo ndarja nga jeta përpos që ka pasojë prishjen e martesës gjithashtu sjell si nevojë edhe ndarjen e pasurisë.

Trashëgimia është kalimi me ligj apo testament i personit të vdekur (trashëgimlënësit) tek një apo më shumë persona sipas rregullave të caktuara.

Objekte që mund të trashëgohen janë sendet dhe të drejtat të cilat i përkasin individëve.

Bashkëshortët dhe fëmijët qofshin këta jashtëmartesor kanë të drejta të barabarta të ndarjes së trashëgimisë.

E drejta në trashëgimi është e drejtë themelore e cila garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e tjera.

Me Ligjin për trashëgimi është përcaktuar ndarje e barabartë e trashëgimisë mes anëtarëve të familjes. 

Në rastet kur ju pretendoni se iu është shkelur kjo e drejtë, me anë të padisë mund ta inicioni procedurën në gjykatë.

Kontestet trashëgimore sipas ligjit zhvillohen në gjykatën themelore ndërsa të dhënat e hapura tregojnë që edhe përkundër pritjeve të gjata lëndët e kësaj natyre po zgjidhen.

Statistikat nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregojnë se nga viti 2016-2018 gjykatat tona kishin 371 lëndë në punë, prej të cilave zgjidhën 54 raste. 

Prej tyre, për 25 raste është aprovuar kërkesëpadia. Sipas statistikave, për 5 lëndë është marrë vendim për hedhje poshtë të padisë, ndërkaq 13 raste të tjera kanë përfunduar me tërheqje të padisë.

Tutje, të dhënat nga databaza tregojnë se me marrëveshje gjyqësore dhe me hedhje poshtë të padisë për tre vite janë zgjidhur nga 5 raste.

Ndërkaq, për dy raste gjykatat në Kosovë kanë marrë vendim që të ndërpritet procedura, kurse tre lëndë janë zgjidhur në mënyrë tjetër.

Trashëgimia

Trashëgimia është kalimi me ligj ose në bazë të testamentit i pasurisë (trashëgimit) së personit të vdekur (trashëgimlënësit) tek një ose më shumë persona sipas rregullave të caktuara me ligj.

Objekti i trashëgimit

Mund të trashëgohen sendet dhe të drejtat të cilat i përkasin individëve.

Barazia në trashëgimi 

Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi. 

Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia është njohur rregullisht ose është vërtetuar me vendim të gjykatës apo të organit kompetent si dhe fëmijët e adoptuar barazohen me fëmijët legjitim.

E drejta në trashëgimi fitohet në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit

Trashëgimtarët ligjorë

Trashëgimtarë ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe pasardhësit e tyre, gjyshi e gjyshja dhe pasardhësit e tyre. 

Me ligj trashëgimlënësin e trashëgon edhe bashkëshorti i tij jashtëmartesor, i cili barazohet me bashkëshortin martesor.

Trashëgimlënësin e trashëgojnë në pjesë të barabarta para të gjithëve fëmijët e tij dhe bashkëshorti i tij.

Trashëgimia me testament

Trashëgimlënësi mund të caktojë me testament një ose më shumë trashëgimtarë.

Trashëgimtarë në bazë të testamentit janë personat të cilët trashëgimlënësi i ka caktuar që të trashëgojnë tërë pasurinë e tij, ose një pjesë të pasurisë.

Testament mund të bëjë çdo person që ka zotësi për të vepruar dhe i cili i ka mbushur 18 vjet. 

Testamenti sipas ligjit është i vlefshëm nëse testatori e ka shkruar vetë atë, përmban një datë dhe është nënshkruar me dorën e tij.

Përveç individualisht, testamenti mund të bëhet para gjykatës kompetente në prani të dy dëshmitarëve.

Trashëgimlënësi mund të revokojë në çdo kohë testamentin në tërësi ose pjesërisht në njërën nga format e parapara me ligj për përpilimin e testamentit

Pas vdekjes së trashëgimlënësit, për marrjen e trashëgimisë zhvillohen disa proceduara të cilat bëhen nga ana e trashëgimtarëve.

Në situatat kur ju pretendoni se jeni larguar me ose pa dashje nga trashëgimia, apo kur ndarja e pasurisë është bërë pa u përfshirë të gjithë trashëgimtarët ligjorë si dhe trashëgimlënësi si dhuratë dhënës ia fal njërit prej trashëgimlënësit ligjor pjesërisht ose tërësisht pasurinë e tij trashëgimore mund ta inicioni rastin në gjykatë.

Në këto raste trashëgimtarët kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës me padi për ta ushtruar të drejtën e tyre.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti “Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.