Si ishte deklaruar në Gjykatë ish-ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo

Ish-ministri Nenad Rikallo, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe sekretari i përgjithshëm Kapllan Halimi dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar në këtë rast.

Aktakuza ishte ngritur 7 muaj pasi Kallxo.com ka publikuar një hulumtim rreth një plani të Ministrisë që drejtohej nga Rikallo për një projekt për komunat veriore të Kosovës.

Rikalo i çon 2 milionë euro në Mitrovicën e Veriut

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar Për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

I akuzuari Nenad Rikallo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregull”, thuhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, Rikallo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi,  në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë.