Si e arsyeton gjykatësi lirimin e të akuzuarve në rastin “Pronto”?

Në 52 faqe aktgjykim, gjykatësi Shashivar Hoti ka shpjeguar arsyet pse hodhi poshtë aktakuzë në rastin “Pronto”.

Në elementet e para shihet se aktgjykimi i përpiluar nga gjyqtari Shashivar Hoti injoron përgjimet e publikuara ndërsa ka konstatuar se të akuzuarit me pozitat që kanë mbajtur, nuk kanë pasur mundësi të ndikojnë në punësime dhe emërimet e zyrtarëve të lartë.

Fjala “Pronto” u bë e famshme në vitin 2014 kur rrodhën përgjimet e para ku politikanët e lartë të bisedonin në mes vete

Ish shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, është protagonisti kryesor në aktakuzën e Prokurorisë.

Grabovci ishte përgjuar teksa bisedonte me një numër të madh të zyrtarëve të shtetit ndër ta edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin.

Në këto biseda telefonike Adem Grabovci dëgjohej tek bisedonte në lidhje me punësime dhe emërime të ndryshme nëpër borde e pozita shtetërore.

Në një aktakuzë me 85 faqe, prokurorja speciale Drita Hajdari kërkonte që politikanët e kohës të dënoheshim për shkeljet të statusit të barabartë të qytetarëve.

Në aktakuzë u përfshinë Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe zëvëndës ministri Fatmir Shurdhaj. Pjesë e aktakuzës ishin edhe  sekretarë të ministrive si Xhavit Dakaj dhe Ilhami Gashi.

Në këtë aktakuzë voluminoze përfunduan edhe drejtori i ndërmarrjes publike “Radoniqi”, Ismet Neziraj, drejtori i bordit të “Hidro-Drinit”, Rexhë Abazi, kryesuesi i kuvendit të Prizrenit, Nijazi Kryeziu, këshilltari i MPB-së, Sadat Gashi dhe shefja e njësisë për furnizim në departamentin e farmacisë Arbenita Pajaziti.

Me anë të kësaj aktakuze Prokuroria e akuzoi Adem Grabovcin se kishte ndikuar dhe tentuar të ndikojë në punësime dhe emërime në nëntë raste të ndryshme. Emri i tij nuk mungoi në asnjërën pikë të aktakuzës.

Si u hodhën poshtë akuzat për Grabovcin?

Prokurorja pretendonte se përgjimet zbardhnin se Adem Grabovci bashkë me Xhavit Dakajn kishin tentuar ta punësojnë Arbenita Pajazitin në pozitën kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Produkte Medicinale.

Përgjimet shfaqnin bisedën në mes të Adem Grabovcit dhe Xhavit Dakajt ku tentohej të përcaktohej renditja e kandidatëve për Kryeshef Ekzekutiv.

“Adnani të jetë i treti, Luta të jetë i dyti ndërsa gjinia e bukur (duke aluduar në kandidaten Arbenita Pajaziti), të jetë e para”, thuhet në aktakuzë.

Edhe përkundër bisedave gjykatësi ka vlerësuar se vepra nuk është kryer pasi në këtë konkurs ishte punësuar Ilir Dushi e jo Arbenita Pajaziti.

Aktgjykimi sqaron se nuk është provuar as tentativa për ta kryer veprën pasi të akuzuarit nuk ndërmorën asnjë veprim.

Akuza 2: Prokuroria pretendonte se  protagonisti kryesor i rastit “PRONTO”, Adem Grabovci në bashkëpunim me Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin me anë të bisedave telefonike kishin punësuar Afrim Dautin në pozitën Koordinator të Qendrës së Regjistrimit Civil në Klinë.

Lirimin për akuzën 2, Gjykata e kishte arsyetuar me faktin se në shkresat e lëndës nuk ka ndonjë provë që vërteton se i pandehuri Ilhami Gashi ka marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve apo në nënshkrimin e formularëve të vlerësimit të kandidatëve.

Akuza 3: Prokuroria akuzon Adem Grabovcin dhe Ilhami Gashin në lidhje me punësimin e Blerim Camajt në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Regjistrimit Civil. Sipas prokurorisë, Blerim Camaj ka ardhur në krye të kësaj agjencie përmes bisedave telefonike të Adem Grabovcit dhe Ilhami Gashit.

Lirimin e tyre për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e ka arsyetuar me faktin se Ilhami Gashi si kryesues i komisionit përzgjedhës e ka vlerësuar me më së paku pikë kandidatin Blerim Camaj dhe se kjo ka bërë që pretendimet e prokurorisë për favorizim të bien poshtë.

Në aktgjykimin e përpiluar nga Gjyqtari Hoti, nuk përmend askund përgjimet e dëgjuara e publikuara në lidhje me përzgjedhjen e Blerim Camajt në këtë pozitë dhe as vlera e tyre provuese në raport në provat tjera të administruara.

Akuza 4: Akuzon Adem Grabocvin dhe ish ministrin e zhvillimit ekonomik, Besim Beqajn se përmes bisedave telefonike kishin bashkëpunuar për anulimin dhe rishpalljen e konkurseve për ndërmarrjet “Trainkos” dhe “Infrakos”, si dhe për anulimin e konkurseve për kryeshef ekzekutiv të këtyre ndërmarrjeve.
Këta dy zyrtarë të lartë publik akuzohen edhe se kishin biseduar për marrjen e vendimit për U.D të Kryeshefit të Postës së Kosovës kur bordi i PTK-së duhet të vendoste për këtë pozitë.

Lirimin nga kjo pikë e akuzës Gjykata e ka arsyetuar me faktin se Adem Grabovci dhe Besim Beqaj nuk kanë kompetenca që të përzgjedhin dhe të emërojnë drejtorë të bordeve pasi këto kompetenca sipas ligjit i ka Qeveria e Kosovës.

Akuza 5: Në këtë pjesë, akuza e përfshin Adem Grabovcin dhe Nijazi Kryeziun për tentim punësimin e tre personave në bordin e ndërmarrjes publike “Hidroregjioni”.

Sipas prokurorisë, Grabovci së bashku me Kryeziun përmes telefonit kishin bashkëpunuar për përzgjedhjen tre personave në këtë bord, mirëpo vepra kishte mbetur në tentativë pasi Qeveria e Kosovës e kishte anuluar konkursin në fjalë.

Lirimin nga kjo pikë e akuzës Gjykata e ka arsyetuar me faktin se të njëjtin nuk kanë pasur autorizime për emërimin e anëtareve në bordet e ndërmarrjeve publike. Andaj në mungesë të këtyre autorizimeve ka qenë e pamundur të kryhet vepra në fjalë.

Akuza 6: Akuzon Adem Grabovcin dhe ish deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, për tentim përzgjedhjen e anëtareve të bordit “Hidro-Morava”. Ata akuzohet se kanë bashkëpunuar për caktimin e tetë kandidateve për bordin e drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Lirimin nga kjo pikë e akuzës Gjykata e Prishtinës e ka arsyetuar me faktin se gjatë asaj kohe për të cilën akuzohen, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti nuk kanë pasur autorizime zyrtare për përzgjedhjen e anëtareve të bordit ngase përzgjedhja e tyre është kompetencë dhe përgjegjësi e qeverisë.

Akuza 7: Akuzon Adem Grabovcin se në bashkëpunim me Fatmir Shurdhajn kishte tentuar ta përzgjedhë drejtorin e bordit “Ujësjellësi Prishtina”. Sipas prokurorisë, përmes telefonit, Grabovci dhe Shurdhaj kishin bashkëpunuar për caktimin e Heset Sahitit për Drejtor Bordi.

Lirimi nga kjo pikë e aktakuzës është arsyetuar me faktin se Gjykata nuk ka arritur ta vërtetoje nëse Fatmir Shurdhaj ka ndërmarrë ndonjë veprim me të cilin do të cenonte të drejtat e qytetarëve sepse nuk ka qenë anëtar i komisionit intervistues pasi që procesi ishte anuluar nga Qeveria.

Akuza 8: Akuzon Adem Grabovcin se së bashku me drejtorin e ndërmarrjes “Radoniqi”, Ismet Neziraj kishin bashkëpunuar për vazhdimin e mandatit te Ismet Nezirajt dhe kishin bashkëpunuar për punësimin e Bujar Kuklecit në bordin e ndërmarrjes së ujësjellësit “Radoniqi”.

Lirimin e të akuzuarve nga kjo pikë e akuzës Gjykata e ka arsyetuar me faktin se  Ismet Neziraj nuk ka pasur ndonjë pozitë zyrtare dhe as kompetencë për emërimin e Bujar Kuklecit, dhe se i njëjti nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim konkret i cili do të paraqiste vepër penale.

Me rastin e arsyetimit të lirimit nga kjo pikë e akuzës, gjykatësi Shashivar Hoti nuk ka vendosur për të dyja pretendimet e prokurorisë pasi nuk e ka arsyetuar fare lirimin e këtyre dy të pandehurve për akuzën se kanë bashkëpunuar për vazhdimin e mandatit mirëpo e ka arsyetuar vetëm lirimin sa i përket pikës në lidhje me tentim punësimin e Bujar Kuklecit.

Akuza 9: Është akuza e fundit e cila rëndon mbi Adem Grabovcin. Kjo akuzë e ngarkon atë dhe Drejtorin e Bordit të ndërmarrjes “Hidro-Drini”, Rexhë Abazi për tentim punësimin e këtij të fundit në ndonjërin nga bordet e ndërmarrjeve publike.

Sipas Prokurorisë, Grabovci dëgjohet në bisedat telefonike me Rexhë Abazin duke i thënë t’i çojë dokumentet qaty ku ia merr menja.

Ndërsa sa i përket lirimit nga akuza të Grabovcit dhe Rexhë Abazit, gjykata ka thënë se Abazi nuk kishte konkurruar fare për pozitat që thuhen në aktakuzë. Edhe në këtë rast gjykata nuk i ka arsyetuar bisedat telefonike të cilat kanë qenë prova në këtë çështje penale, të paktën këtë nuk e ka cekur në aktgjykim.

Për t’u përballur të gjitha këto akuza, Adem Grabovci dhe dhjetë të tjerët ishin ulur  për herë të parë në bankën e të akuzuarit më 15 nëntor të vitit 2018.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat e Prokurorisë.

Pas disa shqyrtimeve gjyqësore, rastit “PRONTO”, i erdhi fundi. Më 3 janar 2020, trupi Gjykues i kryesuar nga Shashivar Hoti vendosi që 11 të akuzuarit t’i shpallë të pafajshëm.

Dy muaj pasi u shpallën të pafajshëm, KALLXO.com arriti të sigurojë aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës.

Arsyetimi më i shpeshtë i trupit gjykues të kryesuar nga Shashivar Hoti për lirimin e të akuzuarve është se Adem Grabovci nuk ka mundur të ndikojë në punësime pasi nuk e ka pasur në kompetencë apo thirrje për këto punësime.

“Të pandehurit Adem Grabovci dhe Arbenita Pajaziti nuk kanë pasur ndonjë pozitë zyrtare e as ndonjë kompetencë ligjore apo mundësi tjetër reale për të bërë përzgjedhjen e anëtareve të komisionit apo ndikuar në ndonjë mënyrë tjetër në përzgjedhjen e tyre”, thuhet në aktgjykim.

KALLXO.com ka vërejtur se Gjykata e Prishtinës nuk e ka arsyetuar përmbajtjen e secilës bisedë veç e veç, për ta arsyetuar se pse nuk përbën vepër penale.

Gjykata në aktgjykim ka theksuar se nuk ka mundur të vërtetoje se Adem Grabovci dhe të tjerët kanë pasur për qëllim t’i shkaktojnë dëm dikujt apo ndonjë privilegj dhe se dashja është element i veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës”.

Gjithashtu edhe pse përgjimet janë konfirmuar si prova të pranueshme nga Gjykata e Apelit të Kosovës, trupi gjykues i kryesuar nga Shashivar Hoti në asnjërën nga pikat për të cilën janë i ka liruar këta të akuzuar nuk e ka përshkruar vlerësimin e përgjimeve.

Në fund të aktgjykimit, gjykata thekson se përgjimet telefonike mes të pandehurve nuk kanë qenë kontestuese për gjykatën mirëpo nuk gjykata nuk ka arritur të vërej nëse dikujt i është shkaktuar dëm pasi as nga prokuroria nuk është bëre përcaktimi i dëmit.