Shukri Buja në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Shukri Buja vë në pikëpyetje kompetencën e prokurorëve dhe Gjykatës së Prishtinës për ta gjykuar

Dymbëdhjetë të akuzuarit e rastit gjyqësor “Veteranët”, janë deklaruar përsëri të pafajshëm.

Gjatë dhënies së fjalës hyrëse në Gjykatën e Prishtinës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi, tha se arsyeja se pse sot ishin në sallën e gjyqit është dëmtimi i buxhetit të Kosovës nga të akuzuarit..

“Arsyeja pse jemi sot këtu është sepse te pandehurit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalija, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari,  gjatë procesit të verifikimit dhe njohjes se statusit te veteranit luftëtar te UÇK-së, në bashkëkryerje duke e shfrytëzuar pozitën e tyre nuk i kane përmbushur detyrat zyrtare të cilat sipas ligjit kanë qenë të obliguar që t’i kryejnë dhe si pasojë buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe, i cili vazhdon të rritet çdo ditë”, deklaroi Krasniqi.

Sipas prokurorit, fakti se vetë kryesuesi i Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, Agim Çeku, ka pranuar se është rritur numri i veteranëve e vërteton fajësinë e të akuzuarve.

“Në kuadër të elementeve të veprës penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare i pandehuri Agim Çeku në cilësinë e kryetarit të Komisionit në mbledhjen e 27-të, të datës 9.3.2016, u drejtohet të pandehurve të tjerë duke thënë se: “Numri i veteranëve ka dalë më i madh se secili nga ju e ka paramenduar por ky numër nuk mund të zvogëlohet. E kemi kryer si e kemi kryer punën dhe secili të bartë përgjegjësinë e vet për këtë’”, shtoi prokurori.

 

“Nga ky citat, i cili është shkoqitur nga provat që do të elaborohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, ai e pranon faktin se të pandehurit nuk i kanë kryer detyrat e tyre në pajtim me Ligjin dhe janë të vetëdijshëm se bartin përgjegjësi për moskryerjen e detyrave të tyre. Më tutje, ka vazhduar me një konstatim duke thënë se: “ne kemi bërë edhe të atillë që nuk e meritojnë”. Është fjala për veteranët“, shtoi prokurori.

Pretendimet e prokurorit i ka hedhur poshtë mbrojtësi i Agim Çekut, avokati Ramë Gashi, i cili tha se në fund të procesit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij.

“Pas përfundimit të këtij procesi sigurt dhe qartë, do të vërtetohet se z. Agim Çeku nuk e ka kryer veprën penale për te cilën akuzohet ne aktakuzë.

Avokati madje tha se do të vërtetohet se Agim Çeku është akuzuar në mënyrë të kundërligjshme.

“Nga provat e Prokurorisë do të vërtetohet se z. Agim Çeku kundërligjshëm është akuzuar duke pretenduar se e ka kryer veprën penale me mosveprim”, shtoi ai.

Pafajësinë e klientit të tij e pretendon edhe avokati Tahir Rrecaj, i cili mbron Nuredin Lushtakun.

Sipas Rrecajt, Nuredin Lushtaku ka marrë pjesë vetëm në një mbledhje të Komisionit Qeveritar të vitit 2016 dhe për këtë arsye ai nuk ka mundur të përfshihet që nga periudha e vitit 2011 për të cilën nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka asnjë përgjegjësi.

Sikurse avokatët Gashi e Rrecaj, pafajësinë e klientit të tij e pretendon edhe avokati Arianit Koci, i cili mbron ish-deputetin Shkumbin Demalija.

“Nga vetë provat e Prokurorisë dhe nga lista e veteranëve, e cila ka plotë të meta, do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”, tha Koci.

Ndryshe nga avokatet, i akuzuari Shukri Buja u mor me kompetencën e Gjykatës.

Sipas tij, Gjykata e Prishtinës nuk duhet të gjykonte këtë rast por do të duhej një Gjykatë Ushtarake.

“Me çështje ushtarake merren gjykatat ushtarake, me çështje ushtarake merren prokurorët e specializuar për çështje ushtarake, që fatkeqësisht ne si shtet i Kosovës nuk i kemi”, tha Buja.

Ai shtoj se për këtë arsye kishte refuzuar t’i përgjigjej prokurorit Elez Blakaj.

“Kjo ka qenë arsyeja se pse Shukri Buja nuk është përgjigjur para prokurorit Elez Blakaj, sepse e ka quajtur joprofesional dhe të anueshëm politikisht”, tha Buja.

Ai tha se gjatë këtij procesi gjyqësor do ta kundërshtojë profesionalizimin e prokurorëve të cilët nuk kanë të kryer asnjë ditë shërbim ushtarak.

“Baza e mbrojtjes time do të jetë kundërshtimi i profesionalizmit të prokurorëve të cilët nuk di a e kanë të kryer një ditë të shërbimit ushtarak”, tha Shukri Buja.

I pafajshëm u deklaruar edhe i akuzuari Ahmet Daku, i cili e kundërshtoi aktakuzën.

“Produkt të mosnjohurive ushtarake” e cilësoi aktakuzën edhe mbrojtësi i ish-ministrit Rrustem Berisha, avokati Artan Qerkini.

“Aktakuza është produkt i mosnjohurive të termeve ushtarake”, tha gjatë fjalës hyrëse avokati Artan Qerkini.

Pafajësinë e të akuzuarve gjatë fjalës hyrëse e pretenduan edhe avokatët e tjerë.

Gjatë kësaj seance ishte paraparë të dëgjohej dëshmia edhe e tre dëshmitarëve mirëpo me kërkesë të mbrojtësve dëgjimi i tyre u shty për nesër.