Shukri Buja sërish nuk paraqitet në gjykatë, po pret rezultatet e testit për COVID -19

Shukri Buja i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, as sot nuk është paraqitur në Gjykatë.

Në seancën e kaluar, Gjykata kishte lëshuar urdhërese për sjellje me detyrim.

Kryetari i turpit gjykues Beqir Kalludra, njoftoi se mbrojtësi i Shukri Bujës, avokati Arianit Koci përmes telefonit e ka njoftuar Gjykatën se klienti i tij i ka dhënë mostrat për konstatimin se a është apo jo i infektuar me COVID-19, dhe sipas të njëjtit rezultati do t’i komunikohet të hënën.

Kurse për të akuzuarin Nebih Zeqiri, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, djali i tij gjykatës ia kishte dorëzuar një raport mjekësor, përmes të cilës njofton gjykatën se i akuzuari gjendet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Kurse për përfaqësuesit e palës së dëmtuar të cilët munguan kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se nuk ka pranuar ndonjë arsyetim për mungesën e tyre.

Bashkë me Shukri Bujën dhe Nebih Zeqirin akuzohen edhe Halit Gashi, Fahri Retkoceri,Bajram Rizani, Edomond Rexhepi, Fahri Vishesella, Driton Avdiu, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave

 

Gjykata urdhëron sjelljen me forcë në seancë të këshilltarit të Presidentit