Shtyhet sërish seanca ndaj veteranëve të luftës, të akuzuar për dëmtimin e ndërtesës së Qeverisë

 

Dështoi të mbahet sërish seanca ndaj veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Nusret Azemi, Driton Sadiku, Xhevdet Qeriqi, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Kjo seancë është shtyrë për arsye të mungesës së të akuzuarve, Arsim Hopp, Driton Sadiku, Bahti Danushi dhe Skënder Llugiqi.

“I akuzuari Gjemajl Maloku ka ndërru jetë. Mbrojtësi i tij Vehbi Halili, me parashtresë ka njoftuar Gjykatën se i njëjti ka ndërruar jetë dhe ia ka bashkangjitur certifikatën e vdekjes”, tha gjyqtarja Lumnije Krasniqi.

I pandehuri Skënder Llugiiqi, përmes telefonit ka njoftuar Gjykatën se i njëjti është për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancë.

Mungesën e Arsim Hopp, e ka arsyetuar mbrojtësja e tij, avokatja Zahide Gjonaj.

“I mbrojturi im është i sëmurë dhe i prezantoj Gjykatës, dokumentacionin mjekësor dhe ndoshta do t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik”, tha avokatja Gjonaj.

Për të akuzuarin Bahti Danushi, gjyqtarja Krasniqi tha se mungesën e tij e kanë arsyetuar të bashkëpandehurit.

Ndërsa mungesën e të akuzuarit, Ekrem Xheladini e arsyetoi i akuzuari Xhevdet Qeriqi.

“I akuzuari Ekrem Xheladini, më njoftoi se është rrugës duke ardhë në Gjykatë”, tha i akuzuari Qeriqi.

Sipas aktakuzës, me datë 07.08.2015 rreth orës 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, të pandehurit Nusret Azemi, Driton Sadiku, Xhevdet Qeriqi, Arsim Hopp, Skender Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Gjemajl Maloku, Fahri Zeqiri, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës ndaj pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkëkryerje kanë dëmtuar pasurinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në atë mënyrë që fillimisht kanë dëmtuar derën lëvizëses të hyrjes së objektit të Qeverisë, më tej me mjete të përshtatshme thyejnë xhamin e kabinës së portës hyrëse, dhe poashtu dëmtojnë automjeti e tipit “Xhip” me nr. të regjistrimit 01-183-SS, që ndodhej në hapësirën e oborrit të objektit qeveritar. Me ç’rast të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material.

Me këtë kanë kryer veprën penale, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Seanca e radhës u caktua për datën 19 shkurt, në ora 9:30.