Seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen në AKI, Valon Ibërdemaj - 19.02.2020

Shtyhet seanca për vrasjen në AKI

Seanca ndaj Valon Ibërdemajt, i akuzuar për vrasjen e zyrtarit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Isa Sejdiu, është shtyrë. Arsyeja e shtyrjes së kësaj seance ishte mungesa e avokatit të Ibërdemajt, Besnik Berisha, i cili e kishte njoftuar Gjykatën se nuk do jetë prezent në seancë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Valon Ibërdemaj akuzohet se me datën 4 shtator 2018 rreth orës 09:15 min. në bufenë e objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në Prishtinë, e kishte vrarë tani të ndjerin Isa Sejdiu.

Sipas Prokurorisë, vrasja kishte ndodhur pasi që tani i ndjeri Isa Sejdiu, një ditë para vrasjes gjatë kohës së pauzës kishte bërë shaka me kolegët e tij, duke u thënë se do të bëhej i madh pasi që atë ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

Sipas aktakuzës, motiv i kësaj vrasje ishte xhelozia që i akuzuari Ibërdemaj e kishte ndaj tani të ndjerit Isa Sejdiu.

Gjithnjë sipas aktakuzës përderisa i ndjeri ishte në kuzhinë, i akuzuari Ibërdemaj kishte shkuar me revolen “CZ-M-57’’ të kalibrit 7.62 mm e kishte thirrur në emër ‘’Isa’’ ndërsa i ndjeri i ishte përgjigju “urdhëro xhaxh’’.

Dosja e Prokurorisë thekson se në atë moment i akuzuari Ibërdemaj kishte shtënë në distancë prej tre metrash, dy herë, në anën e majtë të gjoksit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i akuzuari Ibërdemaj pasi kishte vrarë tani të ndjerin Isa Sejdiu, me qëllim që të ikte nga vendi i ngjarjes e kishte rrëmbyer të dëmtuarën Florije Beqirin, e cila ishte duke pirë kafe në oborrin e AKI-së.

“Pasi që i akuzuari kishte dalur në oborr i ishte afruar të dëmtuarës dhe nën kërcënimin e armës e kishte detyruar që të shkojnë tek parkingu i AKI-së të hipin në veturë dhe pasi i akuzuari Ibërdemaj i kishte vendosur armën pas kokës e kishte urdhëruar të njëjtën që makinën t’a ngasë në drejtim të portës kryesore”, thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se pasi i akuzuari me të dëmtuarën Florije Beqirin arrijnë te porta kryesore dalin nga vetura duke ecur derisa i akuzuari e kishte mbajtur në qafë me njërën dorë, ndërsa me tjetrën i kishte drejtuar armën.

Aty ata pengohen nga zyrtarët e sigurimit dhe aty i akuzuari Ibërdemaj, sipas aktakuzës u kishte thënë “e vrava shkoj çika’’, ndërsa zyrtari i sigurimit Shqiprim Shala i kishte thënë “nëse dëshiron ta vrasësh dikë, më vrit mua’’. Ndërsa i akuzuari në ato momente i ishte drejtuar zyrtarit të sigurimit me emrin Emin duke i thënë “vetëm ty ta dha armën’’, pastaj i është afruar i ka dhënë armën ku edhe është liruar tani e dëmtuara Florije Beqiri.

Sipas pikës tre të aktakuzës, Valon Ibërdemaj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje që nga koha e pacaktuar e deri me  datën 04 shtator 2018 për mbajtjen pa autorizim të 2 revoleve dhe një thike.

Seanca e radhës u caktua më 17 Mars në ora 09:30.