Shtyhet seanca për krimet e luftës në Nerodime

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Zlatan Krstiq dhe Destan Shabanaj, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme të Komunës së Ferizajt.

Gjyqtari Musa Konxheli tha se arsyeja e shtyerjes së kësaj seance është, mungesa e të akuzuarit Destan Shabanaj.

“I akuzuari Destan Shabanaj mungon pasi që, të njëjtit i është keqësuar gjendja shëndetësore”, tha gjyqtari Konxheli.

Kujtojmë se në seancën e kaluar, janë dëgjuar dëshmitarët për këtë ngjarje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kristiq, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkte në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas aktakuzës i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O.N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civilë të familjes N ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve  i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O, B, A dhe B.N, tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Kurse, i pandehuri Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O.N, B.N, A.N dhe I.R, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H.K, I.A dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Destan Shabanaj, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Seancat e ardhshme u caktuan për datat, 27 dhe 28 janar.