Shtyhet seanca ndaj veteranëve të luftës

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Nusret Azemi, Driton Sadiku, Xhevdet Qeriqi, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Kjo seancë është shtyrë për arsye të mungesës së të akuzuarve, Arsim Hopp, Driton Sadiku, Bahti Danushi dhe Skënder Llugiqi.

Mbrojtësja e Arsim Hopp sipas autorizmit, avokatja Zahide Gjonaj deklaroi se i njejti ka familjar të sëmurë.

“I mbrojturi im Arsim Hopp mungon, për arsye se ka familjar të sëmurë”, deklaroi avokatja Gjonaj.

Arsyen e mungesës së të akuzuarve Skënder Llugiqi dhe Bahti Danushi, në këtë seancë e tregoi i akuzuari Nusret Azemi. Ai tha se Skënder Llugiqi është i sëmurë me Covid 19, kurse për të akuzuarin Bahti Danushi tha se gjendet në Gjermani.

“Skënder Llugiqi mungon në këtë seancë për arsye se është i sëmurë me Covid 19, kurse Bahti Danushi gjendet në Gjermani”, tha i akuzuari Azemi.

Sipas njoftimit të policisë, mungon Gjemajl Maloku tashmë i ndjerë, ashtu që gjyqtarja Lumnije Krasniqi tha se ndaj tij do të pushohet procedura.

“Ndaj të akuzuarit Gjemajl Maloku do të pushohet procedura dhe shqyrtimi vazhdon me të akuzuarit e tjerë”, tha gjyqtarja Lumnije Krasniqi.

Sipas aktakuzës, me datë 07.08.2015 rreth orës 12.00, në sheshin “Skënderbeu” në afërsi të ndertesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, të pandehurit Nusret Azemi, Driton Sadiku, Xhevdet Qeriqi, Arsim Hopp, Skendër Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Gjemajl Maloku, Fahri Zeqiri, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e veteranëve të luftës ndaj pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkryerje kanë dëmtuar pasurinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që fillimisht kanë dëmtuar derën lëvizëses të hyrjes së objektit të Qeverisë, më tej me mjete të përshtatshme thyejnë xhamin e kabinës së portës hyrëse, dhe poashtu dëmtojnë automjeti e tipit “Xhip” me nr. të regjistrimit 01-183-SS, që ndodhej në hapësirën e oborrit të objektit qeveritar me ç’rast të dëmtuarës i shkaktojnë dem material. -me këtë ka kryer veprën penale Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Me këtë prokuroria po akuzon se, të akuzuarit e lartëcekur kanë kryer veprën penale, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 11 dhjetor në ora 13:15.