Ilustrim

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Në gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish deputetit të kuvendit të Kosovës Shkumbin Gashi dhe të tjerëve për keqpërdorim i të drejtës në votim.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast janë edhe Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Milor Blakaj, Dardan Blakaj dhe Sylë Blakaj.

I pranishëm në gjykatore nuk ishte i akuzuari Shpëtim Shala, sipas gjykatës mbrojtësi i të pandehurit, Naim Rudari ka lajmëruar gjykatën që i mbrojturi i tij është jashtë vendit për arsye personale.

“Mbrojtësi i të akuzuarit Shpëtim Shala, Naim Rudari ka bo kërkesë për shtyrje të seancës, ‘unë ju njoftoj se i akuzuari im është jashtë vendit, gjendet në Austri për arsye personale, Naim Rudari’”- tha kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli.

Në këtë seancë nuk është paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kastriot Blakaj, Besnik Berisha, pasi që i njëjti ka bërë kërkesë që të shtyhet seanca meqenëse i njëjti ndodhet në Gjykatën e Pejës në një tjetër seancë.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Milot Blakaj i njëjti pas konsultimit me mbrojtësin e tij ka arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranim të fajësisë.

Se a do të pranohet marrëveshja për pranim të fajësisë apo jo, gjykata pritet të vendos më datën 26 janar të këtij viti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com të pandehur në këtë rast janë Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Milor Blakaj, Dardan Blakaj dhe Sylë Blakaj.

Sipas dosjes së prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

Sipas dosjes së Prokurorisë thuhet se krejt këto veprime i pandehuri i ka bërë me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme Parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2022.

Dosja thekson se të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë u mblodhën në një zyrë që  dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakës në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për t`u regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

Sipas Prokurorisë në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi i cili e mbante numrin votues 32.

Prokuroria pretendon se të pandehurit tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Tutje në dosje thuhet se me të arritur çanta në Vjenë e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

Tutje prokuroria pretendon se gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjevukaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që më 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A. A. (Shoferi i autobusit), në atë mënyrë që në ditën e incidentit me veturë të tij të tipit Audi A6, pret të dëmtuarin e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mua je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.