Shtyhet seanca ndaj ish inspektorit Nexhmedin Musliu

Gjykimi ndaj ish inspektorit të Komunës së Prizrenit, Nexhemdin Musliu, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dështuar që të mbahet.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues, Teuta Krusha.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi tha se gjykatësja Krusha mungon për arsye shëndetësore.

Duke i pasur parasysh këto rrethana shqyrtimi i sotëm nuk u mbajt i njëjti u caktua për datën 22 nëntor 2021.

Aktakuza e datës 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliun e ngarkon për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, nga data 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Më tej në aktakuzë thuhet se i akuzuari Musliu nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga

Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Kjo nuk është hera e parë që ish inspektori po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Nexhmedin Musliu, më 23 qershor 2021 nga Gjykata e Prizrenit ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim efektiv prej 10 muajve. Pos dënimit me burgim, Gjykata të akuzuarit i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit për 2 vite.

Gjithashtu Musliu, është i përfshirë edhe në disa raste të tjera gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.