Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte

 

Gjykata njofton se me 1 dhjetor, ka pranuar aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurit Nenad Arsiq, nga Prokuroria speciale. Ku i akuzuari, tani nuk do të dënohet për dy vepra penale, por vetëm për një vepër penale.

Prokurorja, Drita Hajdari tha se ka ndryshuar aktin akuzues, sa i përket cilësimit juridik të veprave penale.

“Mbetem në tërësi të aktakuzës së ndryshuar, ku gjendja faktike nuk ka ndryshuar, por cilësimin juridik e kemi bërë për një vepër penale, bazuar me faktin se kemi të bëjmë me një ngjarje që ka ndodhur në të njejtën ditë, kohë dhe nga motive të njejta”, tha prokurorja Hajdari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Arsiq, avokati Dejan Vasiq përmendi një provë materiale, por tha se nuk e posedon version origjinal të asaj prove sot.

“Ekziston dhe një provë materiale por sot, nuk e kemi me vete, në versionin origjinal”, tha avokati Vasiq.

Gjykata mori vendim që seanca të shtyhet, pasi mbrojtja nuk posedon atë provë materiale, në origjinal.

Prokuroria Speciale thotë se Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, pasi i akuzuari Asiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari “me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien, duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit

Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes të gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.

Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Sipas prokurorisë nga familja Shala, pjesëtarët e policisë serbe kishin marrë 3,200 litra naftë të mbushur në fuqi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.

Seanca e radhës, u caktua për datën 21 dhjetor në ora 9:30.