Rasti Toka - Azem Syla i akuzuar - 11.05.2023
Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Azem Sylës për shkak të gjendjes shëndetësore të tij
Seanca gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerave është shtyrë për një datë tjetër për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Syla.
Gjykata ka njoftuar se një ditë më parë, avokati mbrojtës i Azem Sylës, Besnik Berisha kishte njoftuar Gjykatë përmes një kërkesë se klienti i tij do të mungojë për arsye shëndetësore, duke i bashkangjitur edhe dëshmi mjekësore.
Ndaj Azem Sylës, së bashku me 17 të bashkakuzuar të tjerë, rëndojnë akuzat për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.
Me të filluar seanca gjyqësore, trupi gjykues në përbërje nga Arben Hoti – kryetar, Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala – anëtarë, njoftuan se nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen me 26, 27 dhe 28 korrik.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar, akuzohen se kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
Raportimet lidhur me rastin Toka i gjeni në këtë link.