Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca e gjykimit në rastin ku mbeti i vrarë polici nga eksplodimi në Zhur

Në gjykimin ndaj Iran Badallit dhe Arben Gashit, ku pati ndodhur shpërthimi në Zhur të Prizrenit, e që rezultoi fatal për policin Sami Thaçi, Gjykata ka dështuar të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e dëshmitarit Artur Mrasori dhe avokatit Besnik Berisha.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi konstatoi se nuk ishte prezent dëshmitari Mrasori, për të cilin nëpër mjet telefonit mbrojtësi i tij, Besnik Berisha e kishe njoftuar gjykatën që nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme me arsyetimin se i dëmtuari Mrasori gjendet jashtë shtetit për mjekim.

E në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësja Skenderi e shtyu seancën për datën 17 shtator 2021.
Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.
Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badallaj, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Mirëpo, i akuzuari Çollaku, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.
Gjykata në Prizren, të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje.

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.

Misteret e vrasjes së policit, A u zbulua drogë në shtëpinë në Zhur?