Gjykimi për plagosjen e Azem Vllasit

Shtyhet gjykimi  për plagosjen e Azem Vllasit

 

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues Vesel Ismaili.

Gjykatësi Vesel Ismaili gjendet në trajnim në Gjermani.

Seanca e sotme ishte paraparë të vazhdonte me marrjen në pyetje të të akuzuarit të shtatë, Bajrush Konjusha.

Seanca e radhës e cila ishte paraparë të mbahej nesër me datën 31.10.2019 gjithashtu është shtyer, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 12 dhe 13 dhjetor 2019.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi- Jashanica kryetare e trupit gjykues, si dhe dy anëtarët e tjerë Valbona Musliu- Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzës janë veprat penale duke filluar nga hakmarrja, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e poashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.