Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit dhe zyrtares së Urbanizmit në Skenderaj

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Hasan Shala dhe Sanije Ahmeti është shtyrë për më 16 tetor.

Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Beqir Halili, Gëzim Ademi e Rrahman Beqiri, i Gjykatës së Mitrovicës, vendosi kështu pas propozimit të prokurorit Ismet Ujkani që të ftohen për t’u dëgjuar si palë të dëmtuara përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe nga Komuna e Skenderajt.

Sipas prokurorit, gjatë ngritjes së aktakuzës dhe zhvillimit të procedurës ndaj të pandehurve, në akuzë nuk janë përfshirë financuesit e projektit – Ministria dhe Komuna.

Prokuroria e Mitrovicës po e akuzon Hasan Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, dhe Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në këtë Drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas akuzës, ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë biznesi NNSH ”ILEAA-GR”.

Në akuzë thuhet se Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj në shtator 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi-ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011.

Kjo ishte nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH ”ILEAA-GR” për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88.004,00 euro.

Ndërsa i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, në tetor 2011, ka marrë vendim me anë të të cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platosë me kubëza dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në aktakuzës thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë Hasan Shala dhe Sanije Ahmeti akuzohen se kanë kryer veprën – keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti, akuzohet edhe për veprën penale -mashtrimi në detyrë.

Kurse sipas akuzës ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Akuza thotë se ajo këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH ”ILEAA-GR” në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80.190,00 euro, si dhe në shumën prej 7.814,00 euro edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.

Kurse me rastin e mbajtjes së seancës fillestare në Gjykatën e Mitrovicës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Që të dy në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur muaj më parë  në këtë Gjykatë janë deklaruar të pafajshëm.

Dalin para gjyqit ish-drejtori dhe zyrtarja e Urbanizmit të Skenderajt

www.kallxo.com