Shtyhet gjykimi në rastin e rrënimit të aneks-objektit ‘Abi Çarshia’
Në mungesë të anëtares se trupit gjykues ka dështuar të mbahet seanca e radhës në rastin e rrënimit të aneks-objektit “Abi Çarshia” i cili ishte ndërtuar pa leje.
Nga kryetarja e trupit gjykues Kimete Kicaj u konstatua se gjyqtarja Raima Elezi kishte rast vdekje andaj nuk mund të prezantonte në gjykim.
Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore gjykimi i sotëm nuk u mbajt, seanca e radhës për këtë rast u caktua me 20 dhjetor.
Kujtojmë se në seancën e kaluar avokati Blerim Mazreku kishte propozuar një mori të provave në mesin e tyre si provë gjykatës ia paraqiti CD-të e emisionit të realizuara nga “Kallxo.com”. Sipas tij, këtu përfshiheshin deklarimet – pamjet filmike të zyrtarëve komunal si dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar ”ABI-SHPK”, Irfan Fusha.
Emisioni i KALLXO.com paraqitet si provë në gjykimin rreth rrënimit të aneks objektit ‘Abi Çarshia’
Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019 ku Drejtoria e Inspektoratit në Prizren, kishte rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit kanë realizuar rrënimin në qendrën tregtare “Abi Çarshia” ndonëse e kanë ditur se i dëmtuari kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Sipas Prokurorisë të akuzuarit Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina Thaqi inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Në këtë mënyrë sipas Prokurorisë të akuzuarit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit të “Abi” SHPK në Prizren.
Gjykata i kthen mbrapsht prokurorisë për rastin “Abi Çarshia”
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë, konsiderohet 69 mijë e729 euro.
Në seancën e datës 24 shkurt 2020, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës duke e konsideruar si të pabazuar.
Në lidhje me këtë rast Kallxo.com ka publikuar historinë e ndërtimit, rrënimit e deri tek aktakuza ndaj ish-Kryeinspektorit dhe zyrtarëve të Komunës së Prizrenit.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e rrënimit të aneksit pa leje të ‘Abi Çarshia’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.