Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për trafikim me narkotikëve

Ljubisa Ogareviq, i akuzuar për krim të organizuar nuk është paraqitur në Gjykatë. Kjo bëri që seanca ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë të mos mbahet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ogareviq ka njoftuar gjykatën paraprakisht për pamundësinë e pjesëmarrjes në seancë të të mbrojturit të tij, kjo për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.

Ndërkaq, avokatja Labinote Qosaj, mbrojtësja e të akuzuarit Gafurr Kulla, gjatë ditës së sotme ka njoftuar gjykatën se është e pranishme në një shqyrtim tjetër në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Prokuroria Speciale, akuzon Gafurr Kullën për shkak se me dashje dhe me dijeni ka marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe shtetas nga Shqipëria, Maqedonia, Turqia dhe Serbia, të cilët me dashje dhe me qëllim që vetit t`i sjellin përfitim pasuror janë marrë me blerjen, transportimin dhe shitjen e pa autorizuar të narkotikeve të llojit Heroinë, që të njëjtën ta sjellin nga Turqi apo përmes bullgarisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim që ta dërgojnë në shtetet e Evropës.

Po ashtu Prokuroria akuzon Ljubisha Ogareviqin se duke qenë në dijeni se personat Arif Çiço, Abubekir Tuncdemir, Blerim Ukimeraj, Gafurr Kulla, Milisav Peroviq, Jurgen Molla, Orges Miftaraj si grup i akuzuar kriminal janë duke u marrë me blerjen, transportin, shitjen e paautorizuar të narkotikeve të llojit heroinë e cila sillej nga Turqia me qëllim që të dërgohej në vendet evropiane dhe nuk e ka lajmëruar një fakt të tillë dhe nuk i ka lajmëruar kryerësit e kësaj vepre penale edhe pse zbulimi në kohë i këtij grupi varej nga ky lajmërim. Me këtë ka kryer veprën penale moslajmërimi i veprave penale.

Seanca e radhës caktohet me 26 Mars, në ora 09:30.