Shtyhet gjykimi ndaj Shyqeri Haxhës, ish-kryeshef ekzekutiv i PTK-së

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Shyqeri Haxhës, ish-kryeshef ekzekutiv i PTK-së, i akuzuar për lidhjen e kontratave të dëmshme.

Gjyqtari i rastit Sabit Sadikaj, për KALLXO.com ka bërë të ditur se meqenëse i pandehuri gjendet në Londër, i njëjti ka njoftuar gjykatën me një shkresë zyrtare se e ka të pamundur të vijë në gjykim për ditën e sotme për shkak të masave anti-Covid dhe mbylljes së kufijve në Britani të Madhe.

Ndërsa 10 vjet pas lidhjes së kontratës 9 milionëshe, është ngritur aktakuzë ndaj ish-shefit të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshef Ekzekutiv të PTK-së, Shyqeri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – lidhja e kontratës së dëmshme.

Prokuroria pretendon se i akuzuari më 16 prill 2010, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke mos marrë aprovimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lidhur kontratë për faturim të ri me ç’ rast i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së.

Në aktakuzën e Prokurorisë ndaj Haxhës, theksohet se me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguajë shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate, shumë e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ish-kryeshefi PTK-së Shyqyri Haxha, në janar pritet të ulet në bankën e të akuzuarit