Shtyhet gjykimi ndaj shefit të prokurimit Isa Osmankaj, akuzohet për tenderin e shenjëzimit të rrugëve

 

Në mungesë të përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, sot është shtyrë Gjykimi i paraparë ndaj shefit të prokurimit, Isa Osmankaj.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi bëri të ditur se kanë pranuar një email nga ana e kryetarit Mytaher Haskuka në të cilën kanë njoftuar gjykatën se Komuna është në procedurën e zgjedhjes së përfaqësuesit ligjor.

Duke i pasur parasysh këto rrethana, gjykimi i sotëm nuk u mbajt.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria e Prizrenit ngriti aktakuzë ndaj shefit të zyrës së prokurimit, Isa Osmankaj.

Sipas Prokurorisë, Osmankaj po ngarkohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

E gjithë kjo erdhi si rezultat i shkeljeve të njëpasnjëshme nga Komuna e Prizrenit gjatë shpalljes së tenderit për shenjëzimin e rrugëve.

Tenderi “Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit” në vlerë prej 358 mijë euro ishte nënshkruar në muajin korrik 2017 nga kryetari i atëhershëm Ramadan Muja.

Edhe pse OSHP kishte marrë vendim për shfuqizimin e kësaj kontrate, kryetari i ri Mytaher Haskuka kishte vazhduar ta zbatonte.

 

Mytaher Haskuka zbaton kontratën e kundërligjshme të Ramadan Mujës

 

KALLXO.com në zyrën e kryeprokurorit të shtetit ka parashtruar informacion lidhur me shkeljet ligjore për këtë tender.

Pas shqyrtimit prokurori i shtetit ka ardhur në përfundim se objekt i veprës penale janë shkeljet ligjore në tenderin ”Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosa e barrierave në rrugët e Prizrenit ”.

Sipas aktakuzës, Isa Osmankaj, me dije e ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi që duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi Prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e kishte shpallur nule ose jo ekzistente.

Sipas Prokurorisë në këtë mënyrë, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi Financat Publike, duke i mundësuar Operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate jo ekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro.

Mirëpo, për këto akuza Osmankaj ishte deklaruar i pafajshëm.

Shefi i Prokurimit në Prizren mohon akuzat për tenderin për shenjëzimin e rrugëve