Shtyhet gjykimi ndaj ish rektorit Ramë Vataj, i akuzuar për cenim të së drejtës së punës

Në mungesë të dëshmitarit Adem Sallauka, sot ka dështuar të mbahet seanca e paraparë ndaj Ramë Vatës, ish rektor i universitetit “Ukshin Hoti”.

Vataj, po ngarkohet se ka cënuar të drejtën e punësimit karshi kandidatit Vehbi Miftari.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Adem Sallauka, mirëpo i njëjti nuk i ishte përgjigjur ftesës së gjykatës.

Sipas gjykatësit Fatmir Krasniqi, ndaj dëshmitarit Sallauka do të lëshohet ftesë urgjente për seancën e radhës me datë 5 nëntor 2021.

Vataj akuzohet se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia ka mohur apo kufizuar personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Sipas Prokurorisë ai nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.

Ai në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.

Për akuzën në fjalë në seancën e shqyrtimit fillestar me datë 17 dhjetor 2020, Ramë Vataj ishte deklaruar i pafajshëm dhe nuk e kishte pranuar fajësinë.

Vataj, po ashtu kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat ishin kryer në Universitet, duke pretenduar se procedura e punësimit kalon në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Në anën tjetër, i dëmtuari në këtë rast Vehbi Rama në senacën e datës 2 qershor 2021, kishte konsideruar se ndaj tij ishte bërë padrejtësi nga ana e ish-rektorit Vataj.

“Unë ndjej se në këtë rast me janë cenuar të drejtat e mia për punësim, duke u dëmtuar profesionalisht, moralisht në rrafshin personal dhe material”, ka thënë i dëmtuari.

Përpara gjykatës, i dëmtuari ka deklaruar se kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të senatit, edhe pse ai personalisht nuk ishte njoftuar me këtë vendim, por brenda afatit ligjor i ishte drejtuar inspektorateve të arsimit në Prizren, i cili sipas të dëmtuarit, kishte konstatuar shkelje të të drejtës së konkursit.

Por sipas tij, ky vendim i inspektoratit nuk ishte shqyrtuar asnjëherë dhe nuk ishte zbatuar nga senati dhe rektori.
Për këtë arsye, ai ka thënë se kishte paraqitur kallëzim penal në Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj rektorit Vataj.

Shkrimet në lidhje me gjykimin e Ramë Vatës mund t’i lexoni në këtë – LINK