Arkiv

Shtyhet gjykimi ndaj 15 të akuzuarve në rastin ‘Subvencionet 2’

Në gjykatën e Prishtinës kur parashihej që të mbahej shqyrtimi fillestar ndaj 15 personave të akuzuar për marrje e dhënie ryshfeti, keqpërdorim të detyrës zyrtare e ushtrim ndikimi, e njëjta seancë është shtyrë.

Shtyrja e seancës erdhi pasi që disa nga të akuzuarit, Blerim Mulliqi, Hysni Morina dhe Pashk Krasniqi nuk kishin mbrojtës.

Me kodin e ri parashihet që mbrojta është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi pesë vjet burgim dhe për këtë arsye nuk plotësoheshin kushtet ligjore për vazhdim tutje të gjykimit.

Prokurori i rastit propozoi që ndaj Mulliqit dhe Bekim Bruçit të veçohet procedura pasi që me të njëjtit prokuroria ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Lidhur më këtë propozim të prokurorisë gjykata njoftoi palët që jashtë seancës do të vendos lidhur me këtë çështje.

Seanca e radhës për këtë rast caktua të mbahet me datën 13 mars të këtij viti.

Prokuroria Speciale më 22.12.2022 kishte ngritur aktakuzë kundër 15 të akuzuarve për rastin “Subvencionet II”.

Prokuroria kishte njoftuar se aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve si persona zyrtarë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe përfitues të subvencioneve në mënyrë të kundërligjshme për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Të pandehurit L. S. dhe B. M., dyshohen për veprën penale “Marrje ryshfeti”, të pandehurit S. SH. dhe B. N., dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndërsa të pandehurit G. M., R. Z., A. M., D. D., D. D., R. Z., H. M., S. B., H. M. , P.K., dyshohen për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.

I pandehuri B. B., dyshohet për veprën penale “ushtrim i ndikimit”.

Ndërkaq, të pandehurit G. M., R. Z., A. M., D. D., R. Z., H. M., dyshohen për veprën penale “Mashtrim me subvencione”.

Rasti “Subvencionet” është në zhvillim që nga viti 2021, ku nën pranga të Policisë e nën hetim të Prokurorisë kanë rënë me dhjetëra të dyshuar, disa prej tyre edhe zyrtarë institucionesh.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar detaje të kësaj ngjarje duke treguar se si u keqpërdoren detyrat zyrtare e si u arrit të sekuestrohen me qindra mijëra euro në aksionet e zhvilluara nga isntitucionet kompetente.

(Shënim: Teksti është edituar në orën 15:25 – 22-02-2023, Prokurori i rastit propozoi që ndaj Mulliqit dhe Bekim Bruçit të veçohet procedura pasi që me të njëjtit prokuroria ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.)