Arkiv - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi i të akuzuarve për kontrabandë të Kallashëve nga Kosova drejt Europës dhe ShBA-së

Gjykimi i Miftar Dobrajt, Daniell Prenrecajt dhe Artan Kelmendit, të akuzuar për trafikimin të Kallashnikovëve nga Kosova në Europë dhe Amerikë, është shtyrë për në muajin janar.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte kërkesa e avokatit Sali Mekaj, mbrojtës i të akuzuarit Miftar Dobraj, që në sallën e gjykimit të lëshohet CD-ja me pamje te parkingu i restorantit ‘’Nora’’ në Klinë, në të cilën pretendohet se shihet dorëzimi i armëve.

Por, Gjykata në pamundësi teknike për ta lëshuar sot CD-në seancën e sotme e shtyu për në muajin tjetër, në mënyrë që të sigurohen kushtet teknike për shikimin e kësaj CD-je në sallën e Gjykatës.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës,  Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniel Prendrecaj po akuzohen se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Në muajin prill të vitit 2018 filloi gjykimi ndaj të akuzuarve të lartcekur nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të datës 17 prill, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje edhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtorë  të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me  12 vite e 8 muaj burgim e 19 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.

Gjykata e Prishtinës dënoi Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë,

Artan Kelmendin e dënoi me 5.2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniell Prenrecajn e dënoi me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e të akuzuarin Dren Mulla e dënoi me 4 mijë euro gjobë.

Po ashtu, Gjykata kishte dhënë dënim plotësues konfiskimin e antitankut “Zola’’ me projektil 64 mm,  8 pushkëve automatike  AK47, një pushke ajrore, një revole ‘’GLOC’’, një Audi A3, shumën prej 1 mije e 653 euro si dhe 3 telefona.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pasi që Gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që  e ka bërë gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi i  aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij, konstatimi i gjykatës ë shkallës së parë ishte në kundërshtim me provat materiale, gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.

Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.

KALLXO.com ka raportuar ne vazhdimësi lidhur me këtë çështje penale.

Ky rast gjyqësor është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.