Foto: Kallxo.com

Shtyhet gjykimi i ish-drejtorëve të Arsimit për pozitën e arsimtarit të gjuhës frënge

Seanca gjyqësore ndaj dy ish-drejtorëve të arsimit në Komunën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së njërit prej tyre.

I akuzuari Pajazit Hajzeri nuk u paraqit fare në gjykatë ndërsa kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, ka njoftuar se ai gjendet në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Për shkak të mungesës së të akuzuarit, seanca është shtyrë për muajin shtator.

Prezentë në gjykatë ishin e akuzuara tjetër Ajmane Barani, i dëmtuari Naim Bunjaku dhe avokatja e tij, Kada Bunjaku- Përçuku, prokurorja e rastit Fetije Bajrami- Shala si dhe mbrojtësi i të pandehurit Hajzeri, avokati Sheremet Ademi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë në Mitrovicës derisa anëtaret e komisionit për vlerësim dhe poentim të kandidatëve ishin mbledhur që t’i intervistojnë kandidatët për gjuhën frënge, e pandehura Ajmane Barani, iu ishte drejtuar anëtarëve të komisionit, përkatësisht Njomza Hamzës dhe procesmbajtësit Isa Sejdiu me fjalët “mos e bëni poentimin dhe vlerësimin e kandidatëve, sepse këtë e bëjmë më vonë” dhe për këtë arsye anëtarët e komisionit nuk e kanë nënshkruar procesverbalin.

Tutje prokuroria në akuzë ka shpjeguar se po të njëjtën ditë, i dëmtuari Naim Bunjaku është lajmëruar nga zyrtarja e DKA-së, Shefkije Dragaj se është pranuar si mësimdhënës i gjuhës frënge, pozitë në të cilën ai ka filluar punën si mësimdhënës.

Ndërsa më 7 shtator 2015, ishte njoftuar nga drejtoresha e Arsimit, përkatësisht tani e akuzuara Barani se “nuk ka buxhet dhe orët do t’ia ndajë arsimtarëve të tjerë”.

Kurse me datën e njëjtë ishte shpallur lista e punëtorëve të pranuar, ku thuhet se nuk është përfillur afati i ankesës, siç shkruan 15 ditë, por menjëherë kishte filluar punën kandidatja Luljeta Ibrahimi.

Ndërsa në procesverbalin e panënshkruar nga anëtarët e komisionit shihej se pikët më të larta tani i ishin dhënë Luljeta Ibrahimit dhe atë 30 pikë, ndërsa të dëmtuarit Naim Bunjaku 29 pikë. Për këtë aryse edhe ishte anuluar ky konkurs.

Më këtë, Ajmane Barani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar “.

Konkursi i anuluar ishte shpallur përseri më 2 shtator 2015, ku i dëmtuari Naim Bunjaku sipas konkursit të shpallur më 2 shtator 2015, ishte paraqitur para komisionit për vlerësimin e kandidatëve dhe se atë ditë ka marrë konfirmim se është pranuar në pozitën e mësimdhënësit të gjuhës frënge, nga zyrtarja pranë kësaj drejtorie Shefkije Dragaj.

Këtë njoftim Dragaj thuhet ta ketë bërë me urdherin e tani të pandehures Ajmane Barani. I dëmtuari kishte punuar nga data 4 deri me 7 shtator 2015, ndërsa më pas e akuzuara Barani përmes drejtorit të shkollës kishte njoftuar të dëmtuarin që të paraqitej në zyrën e saj

Gjithnjë sipas akuzës kur i dëmtuari Bunjaku kishte shkuar tek e akuzuara në zyrë, kjo e fundit e kishte lajmëruar se “për vendin e punës së tij nuk ka buxhet dhe se derisa të bëhet ndonjë zgjedhje do t’ia shpërndajë orët e mësimit tek arsimtarët tjerë”, raporton Kallxo.com.

Ani pse i dëmtuari kishte shprehur dëshirën që të punojë pa pagesë, kjo nuk ishte bërë dhe i dëmtuari Naim Bunjaku kishte mbetur në pritje të përgjigjjes nga drejtoresha e atëhershme e arsimit deri më 11 shtator 2015.

Këtë përgjigjje i dëmtuari nuk e kishte marrë ndërsa kur me 18 shtator kishte shkuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, kishte parë listën e mësimdhënësve të pranuar e në të cilin nuk figuronte emri i tij, por i kandidates tjetër Luljeta Ibrahimi, ku në të cilën datë i dëmtuari Bunjaku kishte punuar. Me këtë Ajmane Barani akuzohet se ka kryer veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa i pandehuri Pajazit Hajzeri akuzohet se në dhjetor 2015, në cilësinë e ish-drejtorit të Arsimit, me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar dhe atë procesverbalin e “Gjimnazi- Frang Bardhi” në Mitrovicë, pikërisht vendimin për lëndën edukatës fizike dhe për lëndën gjuhë frënge, për kandidatët kinse janë poentuar dhe themeluar marrëdhënie pune, pasi që kanë marrë pikët kinse nga anëtaret e komisionit. Ndërsa siq thuhet në akuzë ky dokument ishte i pa datë dhe i pa nënshkruar nga anëtaret e komisionit.I akuzari Hajzeri ka vulosur procesverbalin e lartcekur, të cili e ka anuluar Inspektorati i Punës.

Me këtë, Pajazit Hajzeri, akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Gjykimi ndaj të lartë cekurve ka filluar në shkurt të këtij viti, ndërsa seanca e shqyrtimit fillestar ishte shtyrë për shkak se e pandehura Ajmane Barani nuk kishte qenë e pajisur me shkresa të lëndës nga prokuroria.