Shpallja e aktgjykimit ndaj Risto Jovanoviq, shtetas i Malit të Zi

Shtetasi malazez i arrestuar ditën e ‘Vidovdanit’ në Gazimestan shpallet fajtor nga Gjykata

Risto Jovanoviq, shtetas i Malit të Zi, është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, për shkak të veprës penale ‘nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit’.

I njëjti u dënua me 6 muaj burgim, por ky dënim me pëlqimin e tij do t’i zëvendësohet me 6700 euro gjobë.

Të akuzuarit iu shqiptua dhe dënim plotësues, u urdhërua dëbimi i tij nga Republika e Kosovës dhe iu ndalua hyrja në Kosovë në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Koha e kaluar në paraburgim, të akuzuarit do i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Gjyqtarja e rastit, Vlora Pacolli- Rexhepi e arsyetoi këtë aktgjykim, me atë se është bazuar në provat dhe faktet e shqyrtimit gjyqësor, ashtu që është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale, nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit.

Ajo përmendi deklaratat e zyrtarëve policorë të dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, deklaratat e të pandehurit të dhënë në shqyrtim ku i pandehuri ka deklaruar se ka vepruar në mbrojtje të pjesëmarrësve të tjerë nga veprimet e policisë të quajtura arrogante nga ai, gjë që sipas Gjykatës me këtë është vërtetuar se i pandehuri i ka prirë manifestimit, CD të dhënë me video inçizime, të paraqitura nga mbrojtja e të pandehurit me përmbajtje në moment të arrestimit të të pandehurit nga policia, CD të një deklarate e të pandehurit të dhënë para mediave.

Ndërsa sa i përket pretendimeve e arsyetimeve të pandehurit dhe mbrojtjes së tij se i njëjti vetëm ka kënduar këngë, Gjykata i vlerësoi si të pabazuara, pasi sipas Gjykatës këto arsyetime janë bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.

Sipas aktakuzës, më 28 qershor 2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht tek monumenti i “Gazimestanit”, i pandehuri, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, këtë thuhet se e ka bërë, në atë mënyrë që gjatë manifestimit të përvjetorit të njohur si “Vindovdan”, i njëjti publikisht dhe në prezencën e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ka brohoritur. “Vrite shqiptarin”, “Kosovën do ta lajmë me gjak”, “Kosova është Serbi”, kurse para gazetarëve dhe mediave të pranishme ka deklaruar se “shqiptarët do ta kenë ngushtë”, çka me këtë seriozisht e ka rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje mes grupeve etnike dhe fetare në territorin e Republikës së Kosovës,

Një muaj paraburgim malaziasit të dyshuar për nxitje të përçarjes e mosdurimit